Telegrafi

Në Shqipëri, 12 viktima dhe 425 të infektuar me COVID-19

Dymbëdhjetë pacientë të tjerë me COVID-19 humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit, në Shqipëri ndërsa 425 persona u diagnostikuan të infektuar.

Ministria e Shëndetësisë raportoi të shtunën se viktimat ishin të moshave 64-83 vjeç nga Tirana (4), Elbasani (2), Shkodra (2), Lushnja, Fieri, Peqini, dhe Durrësi. Tashmë totali i viktimave nga pandemia në Shqipëri ka shkuar në 2,204.

Gjatë 24 orëve, ministria tha se u diagnostikuan 425 raste nga 3,070 testime – pozitivitet 13.8%, – duke e çuar totalin e rasteve që prej nisjes së pandemisë në 123,641.

Po gjatë kësaj periudhe autoritetet thanë se mundën të shëroheshin 550 qytetarë, duke e çuar totalin në 88,899 raste ku është mundur të mposhtet infeksioni.

Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale, ministria thotë se po trajtohen 320 pacientë, 14 në terapi intensive, nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.

Prej 11 janarit në Shqipëri ka nisur programi i vaksinimit kundër virusit, ku deri më sot janë kryer 64,075 injektime – 1,827 vetëm sot. Programi është fokusuar kryesisht te personeli shëndetësor, të moshuarit dhe arsimtarët.

Qeveria synon ta dhjetëfishojë kapacitetin vaksinues në 10-15 mijë vaksina në ditë, teksa ka vënë si objektiv nisjen e vaksinimit masiv, pas sigurimit të 500 mijë vaksinave kineze nga një kompani turke.

Ministria nuk saktëson në njoftimet e saj se sa është numri i të vaksinuarve duke pasur parasysh se vaksinat Pfizer dhe Astrazeneca kërkojnë dy doza për të qenë të efektshme.