Site icon Telegrafi

Në Shkup vendoset kontejner që flet dhe paralajmëron të mos hidhen mbeturina përreth

Grupi “Aksione artistike urbane”, i cili punon në bashkëpunim me Qendrën për Artet Bashkëkohore, krijoi një kosh plehrash interaktiv, që bisedon me kalimtarët dhe i paralajmëron ata të mos hedhin mbeturina përreth.

Siç informojnë nga Qendra për Artet Bashkëkohore, kontejneri është bërë nga materiale të ricikluara (një tub i vjetër kanalizimesh) dhe përmban elektronikë me sensorë që zbulojnë lëvizjen dhe paralajmërojnë të mos hedhin mbeturina përreth, dhe kur dikush hedh mbeturina, koshi falënderon dhe i thotë histori për plehrat në qytet, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ata theksojnë se në predikimin e tij koshi u ofron qytetarëve mundësinë që të bisedojnë me të dhe të dëgjojnë arsyet pse qyteti është pis, por edhe të dëgjojnë problemet me të cilat përballet pjesa më e madhe e koshave të mbeturinave.

Qendra për Arte Bashkëkohore njofton se në periudhën e ardhshme kontejneri do të vendoset në qendër të Shkupit dhe nga java e ardhshme qytetarët do të mund të takohen dhe të bisedojnë me koshin në lokacione të ndryshme.

Qendra shpreson që duke i kujtuar qytetarët dhe autoritetet në mënyrë kaq kreative dhe deri diku humoristike, do të mund të ndikojmë sadopak në ndërgjegjësimin për higjienën komunale dhe të kontribuojmë për një qytet më të pastër./Telegrafi/

Exit mobile version