Sot u mbajt konferenca për promovimin e programit të përbashkët ”Forcimi i respektimit të të drejtave të njeriut gjatë trajtimit policor”, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Qëllimi i programit është mbështetja e institucioneve shtetërore në tentimet për tejkalimin mangësive të identifikuara dhe dobësive që lidhen me mbrojtjen e të drejtave të njeriut në pajtim me standardet ndërkombëtare dhe praktikave më të mira.
Projekti zgjatë 18 muaj, kurse buxheti për këtë projekt është 550.000 euro.
Me këtë rast, ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski tha se njëri nga qëllimet kryesore të policisë në shoqërinë demokratike është mbrojtja dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut dhe se policia duhet patjetër të jetë e afërt me qytetarët, t’u përgjigjet kërkesave dhe problemeve të tyre përmes njësive speciale dhe njësive për përballje me krimin e organizuar.
Nikolla Bertolini nga delegacioni i BE-së në Maqedoni tha se vendi do ta fitojë mbështetjen drejt standardeve më të mira dhe aktiviteteve në sferën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit dhe diskriminimit, si edhe në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Përqëndrimi i këtij programi në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut u cek edhe nga Tania van Dayk, bashkërenduese e programit për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë./Telegrafi/