“Buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve dëshmon suksesin e projektit të ndërtimit të urave”, theksoi ambasadorja e OSBE-së, Nina Soumalainen, përcjell Telegrafi Maqedoni
Sipas saj, ky aktivitet ka si qëllim afrimin e nxënësve të komuniteteve të ndryshme dhe nxitjen e bashkëpunimit ndëretnik.
“Dua të përshëndes interesimin e të gjithë arsimtarëve, prindërve, nxënësve dhe shkollave për mësim të tillë të përbashkët. Gjeneratat e reja po ndërtojnë ura të reja njëri pranë tjetrit, që çojnë drejt të ardhmes së integruar në Evropën e larmishme”, tha ajo.
Ambasadori holandez, Wouter Plomp tha se përkrahë këtë iniciativë që lidh bashkësitë etnike, ndërsaj lidhja mes të rinjve është me rëndësi të veçantë.
“Dua të jap një përgjigje të sinqertë. Është kënaqësi shumë më e madhe të jem në eveniment me fëmijë se sa eveniment që ka të bëjë me politikë. Ky është qëllim i lartë që të krijon kontakte mes fëmijëve në gjithë vendin”, tha Plomp.
Ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu tha se kush më mirë se fëmijët mund të prezantojnë multietnicitetin.
“Kush më mirë se shkolla dhe nxënësit mund të transmetojnë këtë multi etnicitet këtë bashkëpunim dhe sigurisht nxënësit janë shembulli më i mirë se si ndërtohen urat bashkëpunimi mes tyre pa marrë parasysh gjuhën”, theksoi për Tv21, Lutfiu.
Fondi “Ndërtojmë ura” që është dedikuar për nxënësit, është rezultat i bashkëpunimit midis ministrisë së arsimit, misionit të OSBE dhe ambasadave të disa vendeve të BE. Me këtë projekt përkrahen aktivitetet e përbashkëta të shkollave me nxënës nga të gjitha komunitetet etnike në Maqedoni, me qëllim të rritjes së komunikimit midis tyre, integrimit dhe mirëkuptimit./Telegrafi/