Në komunën e Pejës mësimi po zhvillohet me prani fizike të nxënësve, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë raportuar 64 nxënës dhe 9 mësimdhënës me COVID-19.
Zëdhënësi i komunës së Pejës, Arianit Demaj tha për Telegrafin se mësimi është duke u zhvilluar me prani fizike në të gjitha shkollat dhe se nuk ka tendenca për t’u mbyllur.
Zëdhënësi i komunës Pejës më tej tha se deri në orën 16:00 të së martës, sipas shifrave zyrtare janë 64 nxënës dhe 9 mësimdhënës që kanë rezultuar pozitiv me COVID.
“Gjendja nuk është alarmante dhe nuk ka tendenca për të mbyllur shkollat… Nuk ka asnjë kërkesë nga Drejtoritë e shkollave”, tha Demaj.
Më tej, ai tha se nëse mësimdhënësit vërejnë ndonjë nxënës me simptoma atëherë ai këshillohet për të vizituar pediatrin, i cili vendosë nëse duhet ta bëj testin ose jo.
Ndryshe, pas rritjes së rasteve me coronavirus, një shkollë në Prishtinë dhe tri në Gjakovë kanë kaluar në mësimin online. /Telegrafi/