Telegrafi

Në shitje kitara me të cilën Kurt Cobain luajti në MTV Unplugged

Kurt Cobain në MTV Unplugged

Pritet që kitara e Kurt Cobain, me të cilën bëri muzikë në “MTV Unplugged” të vitit 1993, të shitet në një ankand për së paku një milion dollarë.

Instrumenti i rrallë D-18E është ndër gjësendet që i kanë takuar frontmenit të një prej bendeve më të popullarizuara të muzikës rok, “Nirvana, i cili bëri vetëvrasje në vitin 1994.

“Kjo është një kitarë e rëndësishme, e cila ka një vend në historinë e ‘rock ‘n’ rollit’. Në të ka luajtur një prej rok-muzikantëve me më së shumti ndikim dhe një ikonë, në një prej performancave më të mëdha të drejtpërdrejta dhe më mbresëlënëse të të gjitha kohërave”, ka thënë kryetari i Julien’s Auctions, Darren Julien, në një njoftim publik.

Cobain kishte bërë muzikë me këtë kitarë vetëm pesë muaj para se të vdiste. Krahas kitarës jepet edhe valixhja e vjetër, si edhe një qese e vogël e qepur, e cila besohet se ka shërbyer për fshehjen e heroinës, drogës nga e cila ka qenë i varur rokeri.

Kitarën e ka prodhuar kompania ‘Martin Guitar’, e cila prodhon instrumente që nga viti 1833, ndërsa në të kaluarën ka qenë në pronësi të vajzës së këngëtarit, Frances Bean Cobain.

Cobain arriti statusin e legjendarit si këngëtar i “Nirvanas”, bendit amerikan të muzikës ‘grunge’, të cilin e themeloi në vitin 1987 me basistin Krist Novoselic. Në vitin 1990, grupit iu bashkua edhe bateristi Dave Grohl (i cili pas vetëvrasjes së Kurt e themeloi grupin “Foo Fighters”). /Telegrafi/