E gjithë bota fokusohet këtë të martë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku zgjedhjet e mesit të mandatit janë shndërruar në një sfidë të madhe për presidentin Donald Trump. Ky i fundit bëri përpjekjen e fundit për të tërhequr votues.
“Gjithçka kemi arritur është në lojë tani”, tha Trump.
Vota në shkallë kombëtare konsiderohet si një referendum për presidencën e tij.
Aftësia e tij për të qeverisur vendin në dy vitet në vijim varet po ashtu nga rezultati.
Amerikanët do të votojnë për 435 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, 35 vende në Senat dhe për dhjetëra guvernatorë shtetesh.
Me kontrollin e Kongresit në lojë, presidenti e ka ndezur retorikën mbi çështjet që ndajnë vendin në përpjekje për të shkundur bazën e tij.
Ish-presidenti Barack Obama, që ka përveshur mëngët në fushatën e demokratëve, tha ndërkohë të hënën se karakteri i vendit është te votat, përcjell tch.
Në një postim në Twitter, ai shkruante: “Këto zgjedhje mund të jenë më të rëndësishmet në jetën e çdo amerikani. Zgjedhjet e mesit të mandatit do të vendosin se cila parti do të kontrollojë dy dhomat e Kongresit”.
Nëse republikanët mbajnë kontrollin e tyre në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, atëherë ata mund të ndihmojnë agjendën e presidentit Trump. Por, nëse demokratët marrin kontrollin e njërës apo të dyja dhomave, ata mund të ndalin ose edhe të përmbysin planet e Trumpit.
Sipas sondazheve, demokratët mund të fitojnë 23 vendet që u nevojiten për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, e ndoshta edhe rreth 15 vende të tjera shtesë.
Sidoqoftë, demokratëve parashikohet t’iu mungojnë të paktën dy vende që u nevojiten për kontrollin e Senatit. Guvernatorët po ashtu po zgjidhen në 36 nga 50 shtetet amerikane.