Site icon Telegrafi

Në SHBA del në shitje revolja e mençur që funksionon duke njohur fytyrën

Kompania me bazë në Kolorado, Biofire Tech, ka filluar të marrë porosi për një revole e cila funksionon me teknologjinë e njohjes së fytyrës, e që është zhvillimi më i fundit në armët e personalizuara me të cilat mund të gjuajnë vetëm përdoruesit e verifikuar.

Por si shenjë e rrugës së gjatë dhe sfiduese me të cilën janë përballur revolet e mençura, një prototip dështoi dy herë të shkrepë kur u demonstrua për Reuters këtë javë. Themeluesi i kompanisë dhe drejtori ekzekutiv Kai Kloepfer, tha se softueri dhe elektronika janë testuar plotësisht, dhe dështimi lidhej me revolen mekanike e cila ishte bërë nga pjesët e para-prodhimit dhe prototipit.

Në raste të tjera gjatë demonstrimit, revolja qëllonte me sukses dhe teknologjia e njohjes së fytyrës dukej se funksiononte tërësisht, transmeton Telegrafi.

Drejtori ekzekutiv i Biofire Tech, Kai Kloepfer, duke gjuajtur një plumb testues. Foto e marrë nga Reuters.

Revolja e Biofire gjithashtu mund të vihet në funksion përmes një lexuesi të shenjave të gishtit, që është një nga veçoritë e revoles, që është dizajnuar të parandalojë gjuatjet aksidentale nga fëmijët, reduktojë vetvrasjet, të mbrojë policinë nga marrja e revoleve të tyre ose për t’i bërë të padobishme armët e humbura dhe të vjedhura.

Versionet e para të revoles 9 milimetërshe të gatshme për konsumatorët mund t’u dërgohen klientëve që kanë porositur paraprakisht në tremujorin e katërt të këtij viti, me modelin standard me çmim prej 1,499 dollarësh që mund të jetë në dispozicion deri në tremujorin e dytë të 2024, bëri të ditur Biofire.

Kjo mund ta bëjë atë revolen e parë të mençur në dispozicion për publikun në SHBA prej kur Armatix doli shkurtimisht në shitje në vitin 2014. Të paktën dy kompani të tjera amerikane, LodeStar Works dhe Free State Firearms, po përpiqen gjithashtu të nxjerrin në treg një revole të mençur.

Në një demonstrim në selinë e Biofire në Broomfield, Kolorado, Kloepfer fillimisht qëlloi një plumb pa problem dhe e largoi revolen nga duart e tij. Pastaj një burrë tjetër, përdorues i paautorizuar, u përpoq të qëllonte, por nuk mundi, sepse revolja nuk e njohu fytyrën e tij dhe as gjurmën e gishtit, siç synonte edhe veçoria e sigurisë. /Telegrafi/

Exit mobile version