Autoritetet serbe po vazhdojnë të arrestojnë shtetas të Kosovës, nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës në fund të viteve ’90.
Personi i fundit i arrestuar është Tefik Mustafa, i cili është ndaluar në pikën kufitare Merdare – mes Kosovës dhe Serbisë – më 1 qershor.
Në të njëjtën kohë, shtetasit tjetër të Kosovës, Sadik Durakut, i është vazhduar masa e paraburgimit edhe për 30 ditë. Ai është ndaluar në Serbi, më 17 prill të këtij viti.
Kosova akuzon Serbinë për arrestime arbitrare dhe kërkon reagimin e vendeve të QUINT-it dhe Bashkimit Evropian.
Institucionet serbe nuk janë prononcuar për media, dhe as Prokuroria për krime lufte e Serbisë, nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë, nëse ekziston një listë e shtetasve të Kosovës – shqiptarë – të cilët dyshohen për krime lufte.
REL-i nuk ka marrë përgjigjje as në pyetjen nëse Serbia shkëmben kërkesat gjyqësore me Kosovën, në përputhje me Marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike, përmes BE-së.
Në raportin vjetor për vitin 2023, Fondi për të Drejtën Humanitare i Kosovës e ka përmendur nevojën e madhe të bashkëpunimit ndërmjet prokurorive speciale të Kosovës dhe Serbisë.
Kosova kërkon përgjegjësi prej Serbisë
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka thënë se Kosova, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi, ka kërkuar që të sqarohen arsyet e arrestimit të Tefik Mustafës.
Ministria, gjithashtu, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndërmarrë hapa për lirimin e menjëhershëm të tij.
“Njëkohësisht të kërkohet përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive, dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”.
As Ministria e Drejtësisë, dhe as Ministria e Punëve të Jashtme në Beograd, nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për koment mbi këto pretendime nga autoritetet kosovare.
Më herët, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë pati thënë se Mustafa, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është përmendur në deklaratat e dëshmitarëve si pjesëmarrës në kidnapimin e tre policëve serbë në Kosovë.
“Pas këtij akti, policëve u është humbur çdo gjurmë”, thuhej në atë deklaratë.
Familja e Tefik Mustafës: Ai nuk ka qenë në Kosovë në fund të viteve ’90
I biri i Mustafës, Qamil Mustafa, thotë se babai i tij nuk ka qenë në Kosovë nga gushti i vitit 1997 deri në vitin 2004.
“Prej 24 gushtit 1997 ka qenë në Gjermani. Në vitin 1997 është larguar nga Kosova dhe është kthyer për herë të parë në vitin 2004, pasi ka rregulluar dokumentacionin për lëvizje,” ka thënë Qamil Mustafa.
Ai tregon se në momentin e arrestimit, Tefik Mustafa ka qenë duke udhëtuar nga Kosova në drejtim të Sllovenisë dhe Italisë, teksa sqaron se kjo nuk ka qenë hera e parë që Tefik Mustafa ka kaluar përmes territorit të Serbisë.
“Ka udhëtuar mbi 10 herë [përmes Serbisë], nuk ka pasur asnjëherë telashe,” thotë ai, duke shtuar se hera e fundit që kishte udhëtuar ishte vitin e kaluar, rreth muajit shtator.
Qamil Mustafa i konsideron akuzat ndaj të atit si të pabaza, joserioze dhe joreale.
Ai thotë se të vetmin kontakt që ka pasur familja me Tefik Mustafën ka qenë nga Kurshumlia, ku është mbajtur në paraburgim, dhe më vonë janë njoftuar për seancën që ishte caktuar për ditën e hënë në Beograd.
Aktualisht, ai thotë se institucionet e Kosovës po merren me rastin dhe po mbajnë kontakte me të vazhdueshme me familjarët.
Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Kosovë u ka bërë thirrje edhe një herë qytetarëve, që eventualisht mund të arrestohen nga Policia serbe, të mos udhëtojnë përmes Serbisë, pasi ata nuk do të mund të vizitohen prej organizatave për të drejta të njeriut dhe kanë probleme në sigurimin e një mbrojtjeje efektive ligjore.
Sadik Duraku mbetet në paraburgim
Shtetasit të Kosovës, Sadik Durakut, i është vazhduar masa e paraburgimit në Serbi edhe për 30 ditë, ka thënë avokati i tij, Goran Petronijeviq më 4 qershor, në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Duraku – i cili ka edhe shtetësi britanike – është arrestuar më 17 prill të këtij viti në pikën kufitare mes Kroacisë dhe Serbisë.
Sipas autoriteteve serbe, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “krim lufte kundër popullatës civile”.
Autoritetet serbe dyshojnë se Duraku, “së bashku me persona të panjohur, gjatë vitit 1999, në zonën e komunës së Gjakovës, Prizrenit dhe Pejës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka rrahur, fizikisht, ka ngacmuar mendërisht dhe ka grabitur popullatën civile”.
Avokati i tij, Petronijeviq ka thënë se masa e paraburgimit i është vazhduar për shkak të rrezikut të arratisjes, meqë Duraku është shtetas i huaj dhe nuk jeton në Serbi.
Ai ka thënë se prokuroria është shumë pasive në këtë rast dhe nuk e ka marrë asnjë vendim që një muaj e gjysmë.
“Prokuroria, me pasivitetin e saj, na detyron si mbrojtje të dëshmojnë se ai nuk është fajtor. Sipas meje, provat e mbledhura nga Prokuroria nuk vërtetojnë në asnjë mënyrë pretendimet e tyre”, ka thënë ai.
Petronijeviq ka thënë se Duraku ka qëndruar vazhdimisht në Britaninë e Madhe, që nga dhjetori i vitit 1998, dhe se nuk është kthyer në Kosovë deri në vitin 2004.
Edhe Avdyl Duraku, vëllai i Sadikut, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ai ka jetuar në Angli me familjen e tij qysh para se të niste lufta.
“Në Kosovë për herë të parë pas lufte ka ardhur në vitin 2004”, ka thënë ai, derisa ka treguar se gjendja shëndetësore e Sadikut nuk është e mirë, pasi po vuan prej problemeve në zemër.
“Shpresoj të dalë gjallë, ky është halli im, sepse ai nuk është mirë me shëndet”, ka thënë mes tjerash Avdyli.
Kë tjeter arrestoi Serbia?
Katër shqiptarë të Kosovës janë në paraburgim në Serbi.
Përveç Mustafës dhe Durakut, të arrestuar së fundmi janë edhe Hasan Dakaj, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Ai është arrestuar më 6 janar në pikën kufitare Merdar.
Aktakuza kundër tij nuk është publikuar ende. Prokuroria për Krime Lufte e Serbisë e akuzon atë për bashkëpunim në krime lufte kundër popullatës civile.
Dakaj, sipas fjalëve të përfaqësuesit të tij ligjor, Xhevdet Smakiqi, i ka mohuar kategorikisht akuzat para organeve gjyqësore të Serbisë.
Procesi gjyqësor po zhvillohet edhe ndaj Nezir Mehmetajt, i cili është arrestuar më 4 janar 2020, në vendkalimin në Merdare.
Aktakuza është ngritur në dhjetor të atij viti, ndërsa gjykimi ka nisur në prill të vitit 2021. Mehmetaj ka qëndruar gjatë gjithë kohës në paraburgim.
Raporti i Fondit për të Drejtën Humanitare të Serbisë, për gjyqet rreth krimeve të luftës, thotë se Prokuroria nuk ka qenë në gjendje të sigurojë asnjë dëshmitar kyç për më shumë se dy vjet.
Në nëntor të vitit 2022, Gjykata e Lartë në Beograd e shpalli Petrit Dulën fajtor për krime lufte në një fshat afër Gjakovës, në vitin 1999, derisa ai ishte pjesëtar i UÇK-së.
Mirëpo, në prill të vitit 2023, ai është shpallur i pafajshëm.
Megjithatë, ai e ka kryer në Beograd dënimin e gjykatës së shkallës së parë prej dy vitesh burgim.
Në vitin 2018, Ramadan Maloku është arrestuar dhe është akuzuar për një krim në Nerodime të Epërme në komunën e Ferizajit.
Duke pranuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, në mars 2019, ai është dënuar me një vit e gjysmë burgim.
Në nëntor të vitit 2016, Hilmi Kelmendi është arrestuar nën akuzën për krime lufte, por Prokuroria e ka pushuar ndjekjen penale, dhe pas disa ditësh ai është liruar.
Në prill të vitit 2012, Mark Kashnjeti është arrestuar dhe gjykuar për krime kundër civilëve në Prizren të Kosovës.
Ai është shpallur i pafajshëm më vonë.
Arrestimet e shtetasve serbë në Kosovë
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka arrestuar disa shtetas serbë për krime lufte në Kosovë.
Bëhet fjalë për persona të zhvendosur nga Kosova, të cilët jetojnë në territorin e Serbisë, dhe sipas të dhënave të Fondit të Kosovës për të Drejtën Humanitare, të arrestuarit kryesisht kanë dokumente të Kosovës, përkatësisht shtetësi të dyfishtë.
Sipas raportit vjetor të këtij Fondi, gjatë vitit 2023 janë nisur apo janë zhvilluar procedura penale në 26 raste ndaj 81 pjesëtarëve të forcave serbe dhe një pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Tetë aktakuza janë ngritur në mungesë kundër 61 pjesëtarëve të forcave serbe nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës.
Një nga aktgjykimet e fundit për krime lufte, para gjykatave të Kosovës, është shqiptuat në shkurt, kurDushko Arsiq është dënuar me 13 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në territorin e komunës së Prishtinës.
Sipas aktakuzës, Arsiq ka marrë pjesë në vrasjen e një personi me iniciale B.SH., më 20 prill 1999, në fshatin Butovc afër Prishtinës.
Në aktakuzë është thënë po ashtu, se ai, së bashku me një grup tjetër, ka plaçkitur dhe djegur pronat e shqiptarëve.
Në anën tjetër, avokati Nebojsha Vllajiq ka pretendduar se klienti i tij është akuzuar dhe dënuar për krime lufte për shkak se ka tentuar të rimarrë pronën e tij të uzurpuar në territorin e Prishtinës dhe të kthehet në Kosovë.
Arsiq ka qenë në paraburgim që nga viti 2021, kur është arrestuar në pikën kufitare, Jarinje.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë pati deklaruar se Arsiq ka hyrë disa herë në territorin e Kosovës, dhe ka lëvizur pa asnjë problem.
Kjo Zyrë pati thënë se Arsiq është arrestuar për shkak të çështjes gjyqësore lidhur me pronën e tij në Matiçan afër Prishtinës, e cila dyshohet se është uzurpuar, në bazë të dokumenteve dhe deklaratave false.
Në raportin e Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës, të vitit 2023, ështëthënë se, mungesa e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve ndërmjet autoriteteve hetuese të Kosovës dhe Serbisë rezulton në joefikasitet në aktakuzat për krime lufte. /REL/