Telegrafi

Në seancën e radhës shqyrtohet projektligji për FMN dhe BB

Duke e pasur parasysh rëndësinë që ka për vendin miratimi i këtij projektligji dhe faktin që projektligji i propozuar nuk e ka kaluar kohën e nevojshme për shqyrtim nga deputetët, Kryesia ka vendosur që çështjen ta nxjerr për shqyrtim në seancën e 28 majit.

Kryesia e ka shqyrtuar Rekomandimin e Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e Projektit multietnik për Komunën e Novobërdës, me të cilin kërkohet transferi i mjeteve ndërmjet organizatave buxhetore dhe Kuvendit.

Është vendosur që ky propozim të radhitet në seancën e radhës.

Duke e shqyrtuar, ndërkaq, vendimin e Qeverisë së Kosovës për emërimin e drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit të Zyrës së Rregullatorit të Ujërave e Mbeturinave, Kryesia ia ka përcjellë atë Komisionit Parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Planifikim Hapësinor, që ta shqyrtojë çështjen dhe Kuvendit t’ia paraqesë raportin me rekomandime.

Për seancën e radhës Kryesia do ta radhisë edhe Rekomandimin e Komisionit për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media dhe të Komisionit për Buxhet e Financa lidhur me Raportin financiar të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2008 (i cili propozohet t’i kthehet RTK-së për ripunim).

Kryesia e ka shqyrtuar dhe e ka miratuar kërkesën e Ipeshkëvisë së Kosovës që manifestimet përkujtimore me rastin e 2000 vjetorit të lindjes së Shën Palit të mbahen nën patronatin e Kuvendit të Kosovës, thuhet në njoftimin e Zyra për marrëdhënie me media dhe publikime të Kuvendit të Kosovës. /RTK/Telegrafi/