Liderët e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë NATO-s, në një deklaratë të përbashkët nga Samiti në Vilnius, kanë kërkuar deeskalim të situatës në Kosovë, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.
NATO u bën thirrje palëve që të shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen me mirëbesim drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike.
“Ne mbështesim dialogun e lehtësuar nga Bashkimin Evropian dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës dhe u bëjmë thirrje palëve të shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen në mirëbesim drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme politike”, thuhet në deklaratë.
“Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që menjëherë të de-përshkallëzojnë situatën, të kthehen në dialog dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e cila u arrit së fundi në Bruksel dhe Ohër”, njofton NATO.
Vilnius Summit Communiqué issued by the Heads of State and Government participating in the meeting of the North Atlantic Council in Vilnius#NATOSummit | #VilniusSummit
— NATO (@NATO) July 11, 2023
Udhëheqësit e aleancës ushtarake perëndimore theksojnë se mbeten të përkushtuar ndaj angazhimit të vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, duke përfshirë edhe misionin e KFOR-it të udhëhequr nga aleanca më e fuqishme ushtarake në botë.
“KFOR-i do të vazhdojë të sigurojë një mjedis të sigurt, të qetë dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Veprimet e fundit të përshkallëzuara janë të papranueshme dhe ne dënojmë dhunën në veri të Kosovës, si dhe sulmet e paprovokuara që shkaktuan lëndime serioze të ushtarëve të NATO-s. Ne kemi rritur praninë e trupave të KFOR-it për t’iu përgjigjur tensioneve të përsëritura. Çdo ndryshim në pozicionin e forcave tona në KFOR do të bëhet në bazë të kushteve dhe jo në kalendar (afate kohore)”, thuhet në njoftimin që i dedikohet ngjarjeve në Kosovë.
NATO gjithashtu deklaroi se Ballkani Perëndimor është një rajon me rëndësi strategjike për NATO-n, “Ne mbetemi fuqishëm të përkushtuar ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor duke mbështetur reformat që avancojnë aspiratat e vendeve në rajon për NATO dhe BE”. /Telegrafi/