Site icon Telegrafi

Në Shtime fillon vaksinimi i qytetarëve kundër COVID-19

Në Komunën e Shtimes ka filluar sot vaksinimi kundër COVID-19.

Kjo komunë ka shndërruar sallën e edukatës fizike në qendër të vaksinimit, në mënyrë që mbarëvajtja e vaksinimit të shkoj sipas planifikimeve.

“Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, në bashkëpunim me Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare ‘Dr. Vezir Bajrami’, ka shndërruar sallën e edukatës fizike të shkollës fillore ‘Emin Duraku’, në qendër të vaksinimit për imunizimin e qytetarëve të komunës së Shtimes. Me këtë rast, u.d. drejtoresha e QKMF ‘Dr. Vezir Bajrami’, Arbëresha Syla bënë të ditur se ka shtuar kapacitetet humane duke organizuar ekipin shëndetësor për vaksinim në nivel komunal. Për këtë, thotë ajo është ngritur infrastruktura nevojshme me qëllim që procesi i vaksinimit në masë të realizohet sipas kategorive të përcaktuara me Planin Shtetëror të vaksinimit kundër COVID-19 dhe kategorive të përcaktuara në tre fazat e këtij plani”, thuhet nga komuna e Shtimes.

Drejtoresha Syla thotë se po vazhdon vaksinimi i personave mbi moshën 65 vjeçare dhe krahas tyre pa dallim moshe sot ka nisur imunizimi edhe i personave me sëmundje kronike, siç janë personat me hemodializë, personat me diabet, personat me sëmundje malinje si dhe personat me sëmundje tjera kronike.

Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ju bën thirrje të gjithë qytetarëve që të ndjekin udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë rreth vaksinimit, të regjistrohen dhe të aplikojnë për vaksinim kundër COVID-19 në platformën e-Kosova, ku aplikimi është thjeshtëzuar dhe një person mund të regjistrojë deri në 5 persona të tjerë.

Po ashtu, kërkohet që pas marrjes së njoftimit për vaksinim, secili qytetar mund të vaksinohet në sallën e edukatës fizike të shkollës fillore “Emin Duraku” në Shtime, e cila gjendet afër ish-Stacionit të Policisë. /KP/Telegrafi/ 

 

Exit mobile version