Telegrafi

Në sallën “1 Tetori” profesionistët shëndetësorë marrin vaksinën antiCOVID

Në Kosovë ka filluar sërish vaksinimi i qytetarëve me vaksinat antiCOVID, ku fillimisht do të vaksinohen punëtorët shëndetësorë.

Vaksinimi ka filluar në ora 10:00, në sallën “1 Tetori” në Prishtinë.

Telegrafi ka pyetur në Ministrinë e Shëndetësisë se cili do të jetë plani i vaksinimit pas arritjes së dozave të para Pfizer, por që deri këto momente nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Ndërkaq, ditën e martë Ministria e Shëndetësisë ka pranuar 4,680 doza të vaksinës Pfizer/BioNTtech kundër COVID-19, pjesë e parë e 95,000 dozave të cilat Bashkimi Evropian i ka ndarë për Kosovën në kuadër të mbështetjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në vaksinimin kundër COVID-19.

Vlen të përmendet se Kosova ka nisur vaksinimin e qytetarëve gjatë muajit mars, ku vaksinën AstraZeneca e kanë marrë 24 mijë qytetarë.

Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë e deri tani numri total i rasteve pozitive është 105.711 raste nga 543.074 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 2.191 raste të vdekjes. /Telegrafi/