Site icon Telegrafi

Në Rusi ndalohen librat që tregojnë të vërtetën për Stalinin

Mësimi i historisë për represionet e Stalinit i dëmton nxënësit, mendojnë autoritete. Shkak për debatin është një libër shkollor të Andrej Suslovit. Ai është profesor historie në Universitetin e Shkencave Shoqërore dhe Pedagogjike në Perm. Autoriteti mbikëqyrës rus në fushën e komunikimit (Roskomnadsor) e pati futur në listën e zezë librin, sepse “dëmton shëndetin e fëmijëve”.

Autoritetet ruse ndërhyjnë gjithnjë e më shumë në diskursin e historisë. Shkas për këtë është këndvështrimi i pushtetit në Kremlin, sipas të cilit pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Rusia e tronditur prej krizave, sërish duhet të bëhet një “shtet i madh”. Për ta mbështetur ideologjikisht këtë pretendim, ata i kthehen historisë dhe i referohen stalinizmit.

Librat shkollorë duhet të nxisin “edukimin patriotik”. Qysh më 2007 ish-presidenti dhe president i sotëm i Rusisë Vladimir Putin, udhëzoi botimin e një libri historie, në të cilin Stalini cilësohet si “udhëheqësi më i suksesshëm sovjetik i të gjitha kohërave”. Në të gjitha këto libra Stalini paraqitet si patriot dhe modernizues. E në to anashkalohet numri i pamasë i viktimave të kolektivizimit të dhunshëm të bujqësisë dhe industrializimi i shfrenuar si dhe terrori masiv i viteve 1930. Diktatura komuniste legjitimohet nga pretendimi, se në raportet e asaj kohe kjo ka qenë e nevojshme. Në këtë mënyrë edhe Putin do të legjitimojë sundimin autoritar.

Në një bisedë për DW, Suslov thotë se librin shkollor e ka shkruar bashkë me një kolege të tij. Ky libër u botua nga organizata ruse “Qendra për formimin politik dhe të drejtat e njeriut.”

“Libri është konceptuar për nxënës të klasave të larta dhe mund të përdoret edhe jashtë programit mësimor. Ai u ndihmon mësuesve dhe nxënësve të njihen me historinë e stalinizmit dhe të pasojave të këtij sistemi”, thotë Suslov.

Gjatë prezantimit të librit, Ministria e Arsimit në rajonin Perm pati ofruar që libri të publikohet në faqen e internetit të Ministrisë, gjë që edhe kështu u bë. Por, pasi Roskomnadsori e klasifikoi librin si “të dëmshëm për shëndetin e fëmijëve” ai u zhduk menjëherë nga faqja e internetit. Prokuroria kërkoi gjithashtu nga “Qendra për formimin politik dhe të drejtat e njeriut”, që ta plotësojë librin me udhëzimin për përdorim nga mosha 18 e sipër. Suslov dhe qendra si rrjedhojë ngritën padi ndaj autoritetit të mbikqyrjes në qarkun Perm.

Suslov thotë se aktivitetet e lëvizjes “Sut vremeni” (Qenia e kohës) iu sulën atij kundër librit. Ata kanë shkruar shumë letra tek autoritetet e ndryshme. Verën e vitit 2016 Dmitrij Usun ngarkoi ekspertë të akredituar në Roskomnadsor që të përpilojnë një ekspertizë për librin. Suslov mendon se Usuni është i lidhur me lëvizjen “Sut vremeni”. Ekspertët arritën në përfundimin se “libri nxit bindje armiqësore ndaj shoqërisë dhe shtetit”.

Pavel Gurjanov nga lëvizja “Sut vremeni” në Perm i tha DW-se se e përshëndet vendimin e Roskomnadsorit. Ndërkaq, Aleksandr Verchovskij, drejtues i Qendrës së Moskës për të Drejtat e Njeriut “Sova”, i tha DW-së se është krejtësisht e paqartë përse autoriteti mbikëqyrës Roskomnadsor ka ndërhyrë. Ky autoritet në fakt është përgjegjës për mbikëqyrjen e mediave.

“Kjo është një çështje që ka të bëjë me pedagogjinë. Për këtë duhej të kishte vendosur ministri i arsimit”, thotë Verchovskij.

“Që ka libra të cilët dëmtojnë fëmijët, kjo qëndron”, thotë Irina Shtsherbakova nga Organizata e të Drejtave të Njeriut “Memorial”. “Por kjo nuk vlen për librin mësimor të Suslovit. Të dëmshëm janë librat që përhapin mite ideologjike dhe gënjeshtra. Një “zbukurim i kohës së Stalinit është i rrezikshëm. Përmes kësaj mund të krijohet përshtypja, që dhuna është e lejueshme”.

Exit mobile version