Bejtush Gashi, Arbër Avdijaj dhe Sadush Kabashi, të akuzuar në rastin “Subvencionet 3”, në rigjykim janë dënuar me dënim unik me gjobë në shumë prej 16 mijë eurove (së bashku).
Aktgjykimi në fjalë u shpall të hënën, nga gjykatësja e rastit Valbona Musliu-Selimaj.
Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari Bejtush Gashi për veprën penale “Ndihmë” në kryerjen e veprës penale “Marrje e ryshfetit”, u dënua me dënim unik me gjobë në shumë prej 5 mijë eurove.
Avdijaj u dënua me dënim unik me gjobë në shumë prej 6 mijë eurove për dy vepra penale të kryera në vazhdim, dhe atë për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Mashtrim me subvencione”.
Kurse, ndaj të akuzuarit Kabashi u shqiptua dënim unik me gjobë në shumë prej 5 mijë eurove për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Fillimisht, ndaj të akuzuarit Gashi, gjykata shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 5 muajve dhe dënim me gjobë në shumë prej 1 mijë eurove, por me pëlqimin e të akuzuarit dënimi i shqiptuar me burgim u zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 4 mijë eurove. Kështu ndaj tij, u shqiptua dënimi unik me gjobë në shumë prej 5 mijë eurove.
Ndërsa, ndaj të akuzuarit Avdijaj për veprën penale “Dhënia e ryshfetit” u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve, si dhe 4 muaj burgim për veprën penale “Mashtrim me subvencione” dhe dënim me gjobë prej 1 mijë eurove.
Gjykata të njëjtit i vërtetoi dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve dhe 1 mijë euro gjobë, ashtu që me pëlqimin e të njëjtit dënimi i shqiptuar me burgim iu zëvendësua në dënim me gjobë prej 5 mijë eurove. E kështu i njëjti u dënua me dënim unik me gjobë në shumë prej 6 mijë eurove.
Kurse, të akuzuarit Kabashit iu shqiptua dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve dhe dënim me gjobë 1 mijë euro. Të njëjtit në dënimin e shqiptuar me burgim i llogaritet koha e kaluar në masën e paraburgimit dhe masën e arrestit shtëpiak.
Me pëlqimin e tij, dënimi me burgim i mbetur prej 3 muajve iu zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 4 mijë euro dhe ndaj tij, u shqiptua dënim unik me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.
“Ky është vendimi i gjykatës, të cilin vendim gjykata e ka marrë pas përfundimit të shqyrtimit fillestar. Po ashtu ka marrë për bazë edhe rekomandimet e theksuara në vendimin e Gjykatës së Apelit si dhe duke i vlerësuar të gjitha rrethanat të cilat kanë ndikuar në llojin dhe matjen e vendimit në këtë rast”, tha gjykatësja Musliu-Selimaj.
Tutje, ajo theksoi se gjykata ka aplikuar dispozitat e zbutjes lidhur me caktimin e vendimit mbi dënimin si dhe ka marrë parasysh edhe gjendjen ekonomikë dhe të gjitha rrethanat tjera.
Obligohen të akuzuarit që të paguajnë edhe shpenzimet e procedurës gjyqësore dhe atë në emër të paushallit gjyqësorë shumën prej 100 euro si dhe 100 euro tjera për kompensimin e viktimave të krimit (secili veç e veç)
Pala e dëmtuar-Avokatura Shtetërore për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.
Palët e pakënaqura kundër këtij vendimi në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, në seancën e mbajtur më 16 janar 2024, të akuzuarit Bejtush Gashi, Arbër Avdijaj dhe Sadush Kabashi kanë pranuar fajësinë edhe në rigjykim, ndërsa për të akuzuarin Halit Avdijaj vepra penale ka arritur parashkrimin absolut, raporton betimiperdrejtesi.
Gjykata Themelore e Prishtinës më 18 shkurt 2023 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj katër të akuzuarve të lartcekur, duke i dënuar me 28 muaj burgim dhe me 3 mijë euro gjobë (së bashku).
Ndaj këtij vendimi të Themelores ishin parashtruar ankesa nga mbrojtësit e 4 të akuzuarve me ç’rast më 29 nëntor 2023 ishte mbajtur seanca në Apeli duke u elaboruar kështu ankesa e mbrojtësve të akuzuarve.
Ndërsa, më pas Gjykata e Apelit, ka aprovuar ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve ashtu që ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen e ka kthyer në rivendosje.
Ndryshe, në Gjykatën Themelore procedura penale ndaj katër të akuzuarve ishte veçuar në seancën e 6 shtatorit 2023, pasi të njëjtit e kishin pranuar fajësinë për veprat penale që iu vihen në barrë.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) për rastin “Subvencionet 3”, për veprat penale mashtrim me subvencione, marrje e dhënie ryshfeti dhe ndihmë në kryerjen e këtyre veprave, akuzohen Hasan Maxharraj, Luan Statovci, Veton Prekazi, Halit Avdijaj, Salih Statovci, Bejtush Gashi, Afrim Abazaj, Arbër Avdijaj, Sadush Kabashi dhe Kumrije Maxharraj.