Shumica parlamentare në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë ka dorëzuar ligjet për pagë minimale, për punëtorët e falimentuar, për ndaljen e taksës radiodifuzive, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas tyre, këta ligje janë me rëndësi kyçe dhe do të kontribuojnë për një buxhet më të mirë familjar të qytetarëve, për zvogëlimin e dallimeve sociale dhe për rregullimin e padrejtësisë për dekada të tëra ndaj punëtorëve të falimentuar.
Me miratimin e Ligjit për pagë minimale, të gjithë të punësuarit në të gjitha degët e ekonomisë do të marrin pagë më të lartë minimale, 12.000 denarë. Ky ligj do të vlejë edhe për të punësuarit në industrinë e lëkurës dhe tekstilit, të cilët tanimë nuk do të jenë të diskriminuar dhe nuk do të marrin pagë më të ulët minimale në krahasim me degët tjera të ekonomisë në vend.
Propozim-ligji për sugurim material të personave të papunë për shkak të privatizimit të ndërmarrjeve nën pronësi mbizotëruese shtetërore, do të bëhet sigurim material për mbi 3.500 persona të cilëve ju është ndërprerë marrëdhënia e punës në bazë të falimentimit, likudimit ose tepricës tekonologjike në periudhën prej vitit 1995 deri më 30 gusht të vitit 2017. Të gjithë personat që plotësojnë kriteret do të pranojnë pagë mujore prej 7.596 denarë.
Me ndryshimet në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale, do të ndalet taksa radiodifuzive për të gjithë qytetarët dhe kjo taksë më nuk do të jetë ngarkesë financiare për familjet.
Ligjet e dorëzuara sjellin përfitime për të gjithë qytetarët e vendit dhe për këtë shkak është e nevojshme që të gjithë deputetët, nga cila do qoftë parti politike të tregojnë përgjegjësi dhe të miratojnë ndryshimet e propozuara që janë në interes të qytetarëve të Maqedonisë./Telegrafi/