Telegrafi

Në rast fatkeqësie të aeroplanëve, kjo është “kapsula” që do të shpëtonte pasagjerët (Video)

Në video shfaqet një aeroplan, i cili pas ngritjes kaplohet nga një zjarr, ku si pasojë aeroplani fillon rënien e lirë, e cila në shumicën, për të mos thënë në të gjitha rastet është vdekjeprurëse, transmeton Telegrafi.

Dhe për të “ndihmuar” në zvogëlimin e pasojave, inxhinieri ukrainas i aeronautikës Vladimir Tatarenko, ka hedhur idenë e krijimit të pajisjes e cila me anë të shtypjes së një butoni do të ishte e mjaftueshme për të shpëtuar gjithë pasagjerët në aeroplan.

Inxhinieri, i cili madje që ka marrë pjesë edhe në krijimin e avionit gjigant të ngarkesave AN-225 Mriya, propozon krijimin e një kapsule të madhe e cila do të “dilte” nga aeroplani nga pjesa e prapme e avionit, në raste emergjente.

Siç mund ta shikoni në video, pjesa e brendshme e aeroplanit do të ishte si një kapsulë – pas daljes nga aeroplani, parashutat do të hapeshin për të ngadalësuar rënien e kapsulës.

Sensorët e vendosur në të do të ndihmonin që ajo të ketë një rënie më të ngadalshme, qoftë në tokë ose në ujë, ku do të aktivizoheshin edhe pajisjet lundruese.

Sipas përshkrimit, kapsula mund të dalë nga aeroplani në më pak se tre sekonda. Megjithatë, zbatimi i konceptit kërkon që aeroplani të ketë një T-bisht, gjë e cila tashmë nuk është e praktikuar tek aeroplanët komercialë, as nga Airbus e as nga Boeing.

Shpikësi pretendon se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë që të përshtatet ideja e tij për tashmë aeroplanët ekzistues, për faktin se ideja e tij do të kishte nevojë për të krijuar edhe një model të ri të aeroplanëve, transmeton Telegrafi.

"Ideja e një kapsulë dalëse në aeroplanët komercialë nuk është e re, por për vite komuniteti hulumtues nuk ishte në gjendje për ta sjellë atë në jetë, sepse inxhinierët nuk mund të gjenin një material që do të mbante peshën e avionit dhe numrin e ulëseve në atë të nivelit të tanishëm”, ka thënë Tatarenko për agjencinë Xinhua.

"Por, ne kemi përdorur karbon-fibër – një material shumë i fortë dhe i lehtë, i cili ka provuar të jetë i përshtatshëm", ka shtuar ai.

Sipas tij, është e dyshimtë që një projekt i tillë do të merrte përkrahjen e kompanive, për faktin se me implementimin e tij, do të zvogëloheshin numri i ulëseve dhe do të rriteshin shpenzimet e karburantit. /Telegrafi/