Site icon Telegrafi

Në Ranillug fituesi dihet edhe para zgjedhjeve, KQZ certifikoi vetëm një kandidat

Derisa në shumë komuna të Kosovës gara zgjedhore do të jetë e fortë, kështu nuk do të ndodh në Komunën e Ranillugut.

Fituesi në këtë komunë dihet qysh në fillim, pasi që aty KQZ ka certifikuar vetëm një kandidatë.

Ligji për zgjedhjet e përgjithshme apo lokale, situata të tilla nuk i parasheh kur në garë aplikon apo mbetet vetëm një kandidat apo subjekt politik.

Në komunën që në zgjedhjet e fundit ishin të regjistruar rreth 5 mijë votues, tashmë dihet fituesi pasi njëri nga dy kandidatët që ishin në garë është tërhequr.

Raste të tilla ka pasur edhe në të kaluarën.

“Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve ka përmbushur detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore duke iu mundësuar subjekteve politike të aplikojnë për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhje”, ka deklaruar për RTK-në, zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.

Albert Krasniqi nga “Demokracia Plus” thotë se Serbia po e mbytë garën zgjedhore ne komunat e Kosovës me shumicë serbe.

“Praktikisht në atë komunë nuk ka garë zgjedhore. Mjafton që ai kandidat ta votojë veten dhe që ajo të jetë votë e vlefshme, dhe ai i merr 100% të votave duke u shpallur kryetar i komunës për katër vitet e ardhshme. Lista serbe po i mbyt alternativat tjera politike”.

Krasniqi thotë se në këto komuna ka punë edhe prokuroria, në mënyrë që të mos lejojë presionin ndaj zgjedhësve./Telegrafi/

Exit mobile version