Teksa klubi i basketbollit arriti playoffin e parë në histori të KB Rahovecit dhe vendin e tretë për herë të parë në histori të sportit të kësaj komune pa palestër dhe me buxhet minimal, është mbajtur edhe protesta në shenjë revolte.
Disa ditë para nisjes së playoffit të parë për klubin tifozë dhe qytetarë të shumtë marshuan nga stacioni i autobusëve në drejtim të Kuvendit Komunal të Rahovecit.
Qindra tifozë e protestues protestuan në mënyrë paqësore, teksa para tyre u shfaq edhe kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi.
Tifozët drejtuan gishtin kah Latifi pasi ai premtoi në fushatën zgjedhore për kryetar të komunës se sezoni nuk do të përfundohej pa palestër, ndonëse klubi këtë tashmë po e bën duke u kualifikuar në playoff.
Latifi premtoi angazhim drejt përfundimit të kësaj çështje nëpër të cilën kanë kaluar shumë pushtete, kryetarë dhe parti politike. Ai konfirmoi se kryeministri Haradinaj po angazhohet për të përfunduar palestrën që në Rahovec po konsiderohet si dhimbja në zemër të qytetit tash e 10 vjet.
Ditë më parë ishte trajneri i Rahovecit, Bujar Loci, ai që deklaroi se po të kishte Rahoveci palestrën nuk do të humbte asnjë ndeshje në shtëpi, teksa Rahoveci shënoi 5 fitore në 6 ndeshjet e fundit të zhvilluara si vendas në palestrën e Gjakovës.
/Telegrafi/