Në mbrëmjen e sotme është përuruar palestra e sporteve “Mizahir Isma” në Rahovec, ku edhe kanë filluar të luhen ndeshjet e Final 8 të Kupës së Kosovës në Basketboll.
Qytetarët e Rahovecit kishin kohë që janë në pritje të kësaj palestre, pasi kjo palestër ka filluar qysh moti të ndërtohet dhe përfundimin e ka gjetur vetëm këtë vit. Ky projekt ka kushtuar rreth 3 milionë euro, shumë e cila është siguruar nga Ministria e Kulturës, Rinise dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh tejet i lumtur për përfundimin e punimeve në palestër.
“Rahoveci ka pasur nevojë për një palestër të këtillë. A po e shihni sa shumë kam për të lexuar, keni mu mërzit. Rahovec urime palestra edhe emri i palestrës, emri i një dëshmori i Mizahir Ismës. Kur hyna nuk e dita a jam në Amerikë, a jam në Kosovë. Suksese grup, dhe suksese të përbashkëta”, ka thënë Haradinaj.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se kjo palestër është një ndër më të bukurat në vend.
Ai uroi që nga kjo palestër të arrijnë suksese të njëpasnjëshme të gjithë sportistët, e jo vetëm basketbollistët.
“Kjo është njëra prej palestrave më të bukura në Republikën e Kosovës, e cila buxhetit të MKRS-së i ka kushtuar hiç më pak se 3 milionë euro. Për mua ka qenë nder i veçantë, që për një periudhë të shkurtë, 6-8 muaj pas mandatit, bashkë me Komunën e Rahovecit, ta përmbyllim njërën nga projektet më të më mëdha të sportit, palestrën që mbanë emrin e dëshmorit Mizahir Isma”, u shpreh ai.
Kurse kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, u shpreh i kënaqur me punën që është bërë me palestrën sportive “Mizahir Isma”, ku tha se pa përkushtimin e komunës, MKRS-s dhe Qeverisë, nuk do të arrihej të ishte kjo palestër.
“Përurimin e palestrës ua kemi pasur borxh sportistëve tanë, sportdashësve, prindërve, të rinjve dhe të rejave të komunës tonë. Rahoveci e ka merituar gjithmonë një palestër të tillë. Historikisht ne kemi pasur talent të shumtë në sport. Sot fati deshi që Rahoveci të përballet me Don Boskon, kjo e bën ndeshjen tonë të parë në shtëpi edhe më të veçantë, për faktin se Don Bosko udhëhiqet nga trajneri që ishte në krye të klubit tonë. Urime të gjithëve dhe faleminderit për kontributin e dhënë. Në këtë garë të sportit le të fitojë më i miri, le të fitojë Rahoveci”, tha ai.
Ndërkaq i kryetari i klubit të Basketbollit Rahovecit, Bekim Hoxha ishte tejet i lumtur me arritjen e përfundimit të punimeve në këtë palestër dhe premtoi se kjo do të jetë një arenë ku të rinjtë do ta shfaqin talentin e tyre.
“Më në fund erdh edhe kjo ditë. Vuajtëm një dekadë për një palestër ku mund ti zhvillojmë garat tona. Më në fund është realizuar edhe ëndrra jonë. Dua t’i falënderoj të gjithë pjesëmarrësit të gjithë akterët qe kanë bërë të pamundurën, duke nisur nga kryetari i komunës z.Latifi. Këtë përpjekje e bëri edhe z. Vehapi e bëri edhe KB Rahoveci, Ministria e kulturës Rinis dhe sportit dje të gjithë akterët, por duhet ta dini se meritën më të madhe kanë ata ish basketbollistë”, tha ai.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe djali i dëshmorit Mizair Isma, Jetullah Isma, i cili ishte tejet i emocionuar me palestrën.
“Jam i lumtur që jam në mesin tuaj. Unë mund të ju them se edhe babi ynë do të ishte i lumtur me këtë palestër dhe me rininë e Rahovecit. Babi ynë kishte pasion basketbollin dhe ishte pjesë e KB Rahoveci dhe ai do të kishte dashur të luante në një palestër të tillë”, pohoi ai.
Vlen të theksohet se kjo palestër kishte filluar të ndërtohet 10 vite më parë. /KosovaPress/