Site icon Telegrafi

Në Rahovec filloi projekti për mbjelljen e mbi 10 mijë drunjve

Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, në Komunën e Rahovecit, Rumir Zhuniqi, ka njoftuar se sot ka nisur së zbatuari projekti për mbjelljen e mbi 10 mijë drunjve në këtë komunë.

Zhuniqi ka thënë se ky projekt do t’ia ndryshojë pamjen për të mirë komunës së Rahovecit, transmeton Telegrafi.

“Komuna e Rahovecit, përkatësisht Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit, ka nisur së zbatuari projektin për mbjelljen e drunjve të llojeve të ndryshme, si Rrap, Bli, Catalpa etj, sipas së cilit parashihet mbjellja e mbi 10 mijë drunjve në tërë territorin e komunës sonë”, ka shkruar Zhuniqi në profilin e tij në Facebook, përcjell Telegrafi.

Tutje, ai ka shkruar se “përveç mbjelljes, jemi përkujdesur që kompania e kontraktuar të ketë për obligim edhe ujitjen e drunjve gjatë muajve të nxehtë (prill-shtator), krasitjen sezonale, spërkatjen për mbrojte nga insektet dëmtues, si dhe zëvendësimin e drunjve që mund të dështojnë për arsye të ndryshme”.

“Mbjellja e drunjve, përveçse do ta zbukurojë ambientin tonë, edhe do ta bëj më të pastër, duke i kontribuar mbrojtjes së mjedisit në përgjithësi, prandaj dua të apeloj te të gjithë qytetarët që bashkë me ne t’i ruajnë këto drunj dhe ta raportojnë këdo që e hasin duke i dëmtuar ato”, është shprehur ai.

Zhuniqi ka theksuar se ky projekt ishte zotim gjatë fushatës për zgjedhjet e fundit komunale nga kryetari Smajl Latifi dhe ekipi i tij, dhe se tani janë të gëzuar që po e realizojnë së bashku. /Telegrafi/

Exit mobile version