Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar procesi i rinumërimit të fletëvotimeve nga 50 vendvotime të rregullta, sipas vendimit të KQZ-së.
Fillimisht, në mbledhjen e ditës së sotme KQZ mori vendim për rinumërimin e 15 vendvotimeve nga komuna të ndryshme të Kosovës, në të cilat është zhvilluar procesi i votimit më 9 shkurt 2025.
Sipas rekomandimit të prezantuar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve, gjatë pranimit të rezultateve në këtë qendër nga Qendrat Komunale të Numërimit është hasur në mospërputhje të numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve me numrin e fletëvotimeve brenda në kutitë e votimit të këtyre vendvotimeve.
Gjithashtu, KQZ mori vendim për rinumërimin e plotë të fletëvotimeve për subjektet politike dhe kandidatët nga 35 vendvotime për shkak se ekzistojnë mospërputhje në rezultate.
Këto vendvotime i takojnë komunës së Vushtrrisë në të cilat është votuar më 9 shkurt 2025.
Procesi i rinumërimit po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar./Telegrafi/