Një person i prekur nga gripi sezonal ‘Influenca A’, ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive të QKUK-së.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, Sadije Namani, infektologe në Klinikën Infektive të QKUK-së.
“Prej katër të sëmurëve me grip sa kanë qenë në kujdesin intensiv, ka ndërruar jetë pacientja 50-vjeçare, dy të tjerë janë në gjendje të rëndë dhe një pacient ka përmirësime”, ka thënë ajo.
Gjithsej numri i personave të cilët janë prekur nga gripi sezonal është 13.
Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës para disa ditësh ka dhënë disa këshilla për qytetarët në rast se janë me grip.
Në mesin e këshillave thuhet se personat e sëmurë nga gripi duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe larg të tjerëve.
“Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë, mbuloni gojën dhe hundën me faculetë kur kolliteni apo teshtini, lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitje apo teshtime, informoni familjarët dhe miqtë për sëmundjen tuaj”, thuhej në këshillat e dhëna nga Instituti.
Po ashtu, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka kërkuar që të evitohen kontaktet me njerëz. /Telegrafi/