Telegrafi

Në QKUK thonë se dita e sotme ishte më e rënda për nga numri i pacienteve në aksidente trafiku

Dita e sotme ka filluar me vdekjen e një personi në Merdarë në një aksident prej ku mbetën të lënduar edhe tetë persona të tjerë.

Një tjetër person ka humbur jetën në Grabovc të Fushë Kosovës, sot në orët e pasditës. Mirëpo e gjithë dita e sotme është karakterizuar me aksidente dhe dhjetëra të lënduar.

Se kjo është dita më e rëndë dhe me më së shumti njerëz që kërkuan ndihmë mjekësore e konfirmoi edhe Krenare Makolli, mjeke kujdestare në Emergjencë.

“Gjatë 12 orëve deri tani kanë kërkuar ndihmë 45 pacientë, nëntë persona kanë lëndime të rënda e të cilët janë pranuar në klinika të ndryshme mirëpo kryesisht janë në Ortopedi, pacientët tjerë janë duke pranuar mjekime tjera”.

“Mosha e pacientëve është kryesisht e re, një pranim është bërë i një fëmije të vogël e deri tek mosha e shtyer”, deklaroi Makolli, njofton Klan Kosova.

“Në qendrën Emergjente sezoni i verës është sezon i rëndë, pasi rritet numri i aksidenteve, i sëmundjeve dhe traumat për të tjerët”.

Makolli deklaroi se është rritur numri i pacientëve dukshëm, dita e sotme është njëra prej më të rëndave që kemi pranuar dhe mjekuar deri sot që nga fillimi i vitit.