Site icon Telegrafi

Në QKUK sulmohet mjeku i emergjencës, kërkohet më shumë siguri

Shërbimi emergjent i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, njoftoi se më 17.09.2016, në vendin e tij të punës është sulmuar fizikisht specialisti i mjekësisë emergjente S.B, nga një familjar i një pacienti.

Rasti menjëherë është proceduar tek Policia e Kosovës e cila në bashkëpunim me organet tjera kompetente po merret me rastin në fjalë.

“Për rastin në fjalë, drejtori i  shërbimi emergjent ka njoftuar edhe drejtorinë e përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës,  duke  shpjeguar se  janë duke u grumbulluar të gjitha faktet për këtë rast. Stafi i Shërbimit Emergjent në QKUK,  kërkon nga organet e drejtësisë që sa më shpejtë të  zbardhin të vërtetën në lidhje me rastin dhe të ofrohet siguri maksimale në punë në mënyrë që të kryejnë punën e tyre pa presione dhe frikë nga familjarët e  frustruar  që janë jashtë vetvetes duke menduar  se mjekët janë fajtor për atë çka ju ka ndodhur atyre”, thuhet në reagimin e QKUK-së.

Ky nuk është rasti i parë i sulmit ndaj mantelbardhëve të Qendrës Emergjente, meqë aty trajtohen pacientë me sëmundje të rënda, përfshirë rastet e varura nga alkooli, droga, por edhe rastet të tjera të të lënduarve me armë zjarri dhe aksidente të ndryshme, ku fyerjet, presionet dhe sulmet fizike ndaj stafit kanë qenë evidente.

“Stafi i Shërbimit Emergjent kërkon nga gjithë familjarët e pacientëve të mos pengojnë punën e tyre, por të lejojnë që punën ta kryejnë pa presione ngase puna e profesionistit shëndetësor është mjaftë e ndjeshme dhe  kërkon intervenim të shpejtë. Mbesim me shpresë se organet e rendit dhe ato të drejtësisë do të kryejnë punën e tyre dhe stafi të ketë siguri gjatë kryerjes së shërbimeve mjekësore”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Exit mobile version