Familjarët të cilët kanë pacientë duke u mjekuar në QKUK nuk po mund ta përballojnë koston e ilaçeve që duhet t’i blejnë. QKUK-ja ka mungesa të ilaçeve dhe materialeve shpenzuese prej më elementareve, duke përfshirë edhe shiringat e gjilpërat.
Me një qese përplot ilaçe Behar Rama është futur të hënën në korridorin që çon në Mjekimin Intensiv. Pak çaste më parë ilaçet i kishte blerë hiç më pak se 19 euro për familjarin e tij që po mjekohet në Intensiven e QKUK-së, shkruan sot, gazeta ‘Zeri’.
Rama thotë se javën që shkoi të gjithë pa përjashtim kanë blerë shumicën e ilaçeve, pasi ato kanë munguar në QKUK.
“Një doktor këtu bile na tregoi një listë prej 19 llojeve të ilaçeve që mungojnë sepse i vinte keq që të gjitha po duhemi për t’i blerë vetë”, tregon familjari i pacientit, duke folur për njërën nga peripecitë me të cilën ballafaqohen gjatë tretmanit mjekësor.
Mjekimi në Intensivë, sipas tij, zakonisht merr kohë të gjatë dhe shumat e parave që shpenzohen për ilaçe janë të papërballueshme për një familje me gjendje të mesme sociale.
“E këtu ja paramendoni, nuk ka asgjë këtu”, thotë familjari i pacientit tek në telefonin e tij tregon një listë me emrat e 19 ilaçeve dhe 10 llojeve të domosdoshme të materialeve shpenzuese që mungojnë. /Zëri/