Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, priti sot në takim zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, Rainer Wieland me bashkëpunëtorë, me të cilët bisedoi për thellimin e bashkëpunimit në sektorin e arsimit mes dy shteteve.
Gjatë këtij takimi u bisedua edhe për vazhdimin e implementimit të memorandumit për mobilitetet e nxënësve dhe mësimdhënësve mes Kosovës dhe Gjermanisë, programin “Erasmus +” dhe mundësinë e qasjes sa më të madhe në këtë program.
Rreth kësaj, ministri Bytyqi theksoi se në fillim të muajit qershor të këtij viti do të nënshkruajë marrëveshjen rreth programeve të “Erasmus +”.
Në këtë takim u bisedua edhe për zhvillimet në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional.
Ministri Bytyqi theksoi se 2018 është shpall si vit nacional për arsimin dhe aftësimin profesional.
“Jemi në fazën fillestare të hartimit të një strategjie për arsimin profesional dhe jemi duke diskutuar dhe duke parë përvojat dhe modelet më të mira ndërkombëtare”, tha ai.
Ministri Bytyqi paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë edhe vizita në shtetin gjerman, ku nga afër do të shihet organizimi që ka Gjermania në arsimin profesional. /Telegrafi/