Site icon Telegrafi

Në protestën e Gracanicës kishte edhe shtetasë rusë

Në organizmin e “protestës shëtitëse” të serbeve në rrugën kryesore të Graçanicës, më 9 janar, e cila u bë “për ta kundërshtuar shtetëzimin e Kishës Ortodokse në Malin e Zi”, kanë qenë të pranishëm edhe tre shtetas të Rusisë, njëri prej të cilëve është pjesë e shërbimit ushtarak rus GRU. Dy të tjerë janë të pranishëm në Republikën e Kosovës që nga dhjetori, bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it, nga institucionet e sigurisë së Kosovës.

Po këto burime thanë se pjesëtari i shërbimit sekret rus GRU, ka hyrë në Kosovë më 7 janar në rrugë ilegale nga Mali i Zi, si dhe posedon dokumente të falsifikuara si punëtor i UNMIK-ut, duke i dhënë imunitet diplomatik.

Gjithashtu, ky person me datën 8 dhe 9 janar, ka qëndruar në Manastirin e Graçanicës i shoqëruar nga dy rusët e tjerë dhe një përkthyes serbë për t’u takuar me klerikët serb.

Përveç pjesëmarrjes në “protestën shëtitëse”, ata janë duke planifikuar edhe një fushatë të ashtuquajtur ”mbrojtjen e shtyllës së ortodoksisë në Prizren” dhe rritjen e aktivitetit në Prizren.

Kuvendi i Malit të Zi me propozim të qeverisë ka miratuar kohë me parë ligjin për lirinë e besimit dhe bindjeve fetare dhe të pozitës juridike të bashkësive fetare në këtë shtet duke shfuqizuar ligjin e vjetër nga viti 1977.

Ligji për lirinë e besimit dhe statusin juridik të bashkësive fetare në Mal të Zi parashikon shtetëzimin e pronave për të cilat kisha nuk mund të dëshmojë se i përkisnin asaj para 1918. Pas kësaj date, Mali i Zi nuk ishte shtet i pavarur dhe ishte pjesë e mbretërisë serbo-kroate-sllovene.

Presidenti Malit të Zi, Milo Gjukanoviq e ka akuzuar të martën e kaluar Kishën Ortodokse Serbe se është duke e mbajtur të gjallë idenë e Serbisë së Madhe.

Gjukanoviq kishte deklaruar se “rrëfimet e priftërinjve serb mbi kufijtë, janë në kundërshtim me parimet e besimit ortodoks në të gjithë botën”.

Gjukanoviq kishte shtuar se Kisha Ortodokse Serbe beson se krijimi i shtetit të Malit të Zi është një gabim i cili do të rregullohet me kohën.

“Ata besojnë se Mali i Zi është krijuar gabimisht dhe se koha do të na mësojë për këtë gabim dhe dikur do ta fillojnë përsëri ndërtimin e Serbisë së Madhe. Natyrisht, ne jemi të vendosur në vizionin tonë për t’i treguar atyre se nuk mund të bëjnë asgjë”, tha Gjukanoviq.

Exit mobile version