Në pronën luksoze të Stingut në Itali punojnë imigrantë ilegalë. Prona e tij prej 350 hektarësh brenda të cilës ka vreshta, ullishte e pemishte, është subjekt i një hetimi për përdorimin e imigrantëve ilegalë si fuqi punëtore.
Siç njofton The Guardian, kantautori i famshëm ka thënë se është i pikëlluar dhe i tronditur për situatën e krijuar.
Refugjatët të cilëve nuk u lejohet qëndrimi në Itali, angazhohen nga një kompani, e cila i dërgon të punojnë në disa lokacione në Toskanë, ku ndodhet edhe prona e Stingut.
Autoritetet italiane besojnë se pronarët e këtyre pronave (duke përfshirë edhe këngëtarin e njohur), nuk kanë qenë të informuar se bëhet fjalë për punëtorë ilegalë. Ndërsa thuhet se imigrantët jetojnë në kushte katastrofale dhe trajtohen si robër.
“Pres që policia italiane ta bëjë punën e vet dhe ta zgjidhë këtë rast në gjykatë. Edhe pse kompania nuk ka kurrfarë lidhje me punët tona, ndërsa emri im është paraqitur në gazetat italiane, sidoqoftë unë mund të marr publicitet të panevojshëm negativ në industrinë e verës”, ka deklaruar Sting. /Telegrafi/