Telegrafi

Në Prizren, 301 raste të dhunës në familje, 282 kallëzime penale

Grupi Koordinues me akterët të cilët merren me trajtimin e rasteve dhe veprave penale të dhunës në familje, brenda kompetencës së kësaj prokurorie, të mërkuren kanë mbajtur takimin e rregullt.

Sipas njoftimit, në këtë takim të thirrur dhe të organizuar nga prokurorja dhe koordinatorja për rastet e dhunës në familje, Mehreme Hoxha, dhe mbështetur nga OSCE-ja, ishin të pranishëm përfaqësues nga policia për rajonin e Prizrenit, përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, Qendra e Shëndetit Mendor, mbrojtës të viktimave, përfaqësues nga Zyra për Ndihmë Juridike Falas si dhe përfaqësues nga Njësia për të Drejtat e Njeriut në Regjionin e Prizrenit.

Të gjithë pjesëmarrësit në takim theksuan se gjatë vitit 2021 ka pasur rritje të rasteve të dhunës në familje, në krahasim me vitin 2020.

Prokurorja Mehreme Hoxha theksoi se në vitin 2021 (deri më 30 nëntor 2021) në Prokurorinë Themelore në Prizren, gjendja statistikore për sa i përket lëndëve të dhunës në familje ka qenë si në vijim: në Departamentin e Përgjithshëm janë pranuar 282 kallëzime penale me 317 persona.

Në Departamentin për të Mitur, janë pranuar 4 kallëzime me 4 persona, ndërsa, në Departamentin e Krimeve të Rënda janë pranuar 5 kallëzime penale me 7 persona. Nga të tri departamentet gjatë kësaj periudhe raportuese janë kryer 301 lëndë me 357 persona, duke përfshirë edhe lëndët e trashëguara nga viti paraprak.

Në fund të takimit, të gjithë pjesëmarrësit u dakorduan se do të vazhdojnë bashkëpunimin me kapacitetet ekzistuese për trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje.