Site icon Telegrafi

Në pritje të telefonatës për vaksinim

Esat Rama, 72 vjeç nga Prishtina, me padurim pret që të marrë vaksinën kundër sëmundjes COVID-19. Ai nuk është lajmëruar në asnjë nga institucionet shëndetësore, pasi pret thirrje telefonike nga autoritetet.

“Po pres që të më thërrasin në telefon edhe pse nuk e di si e marrin numrin tim të telefonit. Mua asnjëherë në ambulantë (Qendër të Mjekësisë Familjare), kur kam shkuar për vizitë apo kur e kam marr vaksinën sezonale, nuk më është kërkuar numri i telefonit. Por, ata (Ministria e Shëndetësisë) kanë thënë mos të lajmëroheni”, tha Rama.

Kosova ka nisur të hënën fushatën e imunizimit kundër koronavirusit. Të martën, më 30 mars, janë vaksinuar punëtorët e Klinikës Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës dhe punëtorët shëndetësorë të kujdesit primar dhe më pas do të përfshihen personat e moshuar.

Personave të moshuar dhe atyre me sëmundje kronike, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje që të mos shkojnë te salla “1 Tetori” në Prishtinë për vaksinim, pasi ata do të kontaktohen nga njësitë e vaksinimit, që gjenden në çdo komunë për t’u vaksinuar, sipas listave të siguruara nga institucionet e vendit.

Ministria e Shëndetësisë i tha Radios Evropa e Lirë se institucionet shëndetësore, duke filluar nga kujdesi parësor, regjistrojnë grupet me prioritet për vaksinim sepse këta persona të njëjtë regjistrohen po ashtu për të marrë vaksinën kundër gripit sezonal. Gjithashtu, MSH-ja thotë se një numër i personave që kanë sëmundje kronike, janë pacient të rregullt të këtyre qendrave të kujdesit shëndetësor.

Në mënyrë që të përdoren burime të ndryshme për të mundësuar një regjistrim sa më real të personave për vaksinim, sipas grupmoshave të caktuara, Ministria e Shëndetësisë, thotë se ka siguruar një listë edhe nga qendrat sociale të personave mbi 65 vjeç, ku figurojnë personat e pensionuar.

Po ashtu, në dispozicion të qytetarëve është vënë edhe ueb-faqja eKosova, ku qytetarët mund të regjistrohen për vaksinim.

Kjo ueb-faqe, gjatë së martës, por edhe të mërkurës nuk ka funksionuar.

Por, Hazbije Halimi, 65 vjeçe, shpreson që shpjet do t’i vijë radha për vaksinim edhe pse ajo thotë se nuk di ta përdor kompjuterin, në mënyrë që të fusë të dhënat e saj personale në ueb-faqen eKosova.

“Jo, nuk di ta përdor kompjuterin, kurrë nuk e kam përdorur. Djemtë duhet të angazhohen për të rregulluar këtë çështje për mua dhe bashkëshortin tim”, thekson Halimi.

Institucionet shëndetësore në disa nga komunat e Kosovës nuk i kanë numrat e kontaktit të personave të moshës se tretë. Arbenita Hajdari, drejtoreshë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Dr. Nagip Rexhepi” në Gjilan, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se viteve të kaluara, personat e moshuar, kur kanë marr vaksinat sezonale, nuk u është kërkuar ndonjë numër kontaktues.

Sipas Hajdarit, qendra që ajo udhëheq, para dy muajsh, përmes rrjeteve sociale u ka bërë thirrje qytetarëve që të regjistrojnë familjarët e tyre që janë mbi 75 vjeç dhe të lënë numrat kontaktues.

“Në atë kohë, kur kemi filluar përgatitjet për vaksinim, i kemi kërkuar qytetarëve, të cilët kanë anëtarë të familjes mbi 75 vjeç, t’i regjistrojmë në mënyrë që ne të krijojnim një data-bazë, që kur të arrijnë vaksinat ta kemi më të lehtë procesin e imunizimit. Deri më tani janë regjistruar mbi 400 persona”, tha Hajdari.

QKMF-ja në Gjilan po ashtu ka evidentuar edhe pacientët që vuajnë nga diabeti, ku numri tyre arrin në rreth 4.000.

Por, situata qëndron ndryshe në Gjakovë. Afërdita Spahiu-Shllaku nga Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e kësaj komune, tha se nuk kanë numra kontaktues për personat e moshuar, por kanë vetëm numrin e personave që janë me diabet.

Megjithatë, ajo thotë se ditëve të fundit ka interesim të madh të qytetarëve për t’u vaksinuar kundër koronavirusit.

“Ne i kemi dorëzuar listat e personave të sëmurë me diabet, të cilët furnizohen me insulinë. Lista të tjera apo numra kontakti nuk kemi. Aktualisht, nuk kemi ndonjë njoftim nga Ministria e Shëndetësisë se cila moshë do të vaksinohet. Por, ne jemi në kontakt me ta dhe do të shikojmë se si do të rrjedhë procesi i imunizimit”, tha Spahiu-Shllaku.

Më 28 mars, Kosova pranoi 24.000 dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit të kompanisë, AstraZeneca. Aktualisht, procesi i vaksinimit është duke u zhvilluar vetëm në Prishtinë.

“Komunat janë në dijeni për procesin dhe janë gati të fillojnë edhe ato vaksinimin. Secila komuna njoftohet paraprakisht për ditën kur fillon vaksinimi në komunat përkatëse”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të Ministrisë së Shëndetësisë.

Agjencia për Fëmijë e Kombeve të Bashkuara,UNICEF, njoftoi të martën se Kosova do të furnizohet me 76.800 doza shtesë të vaksinës kundër COVID-19 gjatë muajit maj.

Në total, Kosova do të marrë falas nga COVAX-i 100.800 doza të vaksinës së AstraZenecas, ndërkaq autoritetet kanë thënë se janë në bisedime që të sigurojë edhe vaksina të tjera. /rel/

Exit mobile version