Site icon Telegrafi

Në pritje të “pavarësisë së pakushtëzuar”

Ka kohë që është deklaruar publikisht që viti 2012-të do të shënojë në histori dhënien fund të “pavarësisë së kushtëzuar” të Republikës së Kosovës. Ky deklarim zyrtar, që u mirëprit nga gjithë qytetarët e mbarë spektri politik shqiptar dhe që nuk ngjalli asnjë reagim kundërshtues nga ndërkombëtarët, pritet të realizohet. Por, me sa duket, deri tani vazhdon të mbijetojë shpresa për arritjen e pavarësisë së pakushtëzuar, sepse ende mungojnë hapat dhe argumentet bindës për arritjen e këtij objektivi.

Thuhet që shpresa vdes e fundit. Kjo është e vërtetë, sepse ne na ka mbajtur gjallë dhe në kohën e Çubrilloviqit, edhe në “furtunën” hapur antishqiptare të Tito-Rankoviçit, edhe në barbarinë e pashembullt të Millosheviqit.

Pas çlirimit të Kosovës nga Serbia besuam në vlerën e arritjes dhe ecurinë e saj. Vegjetuam nën këto ndjesi deri në lodhjen e durimit nën trysninë e pritjes. Nën këtë trysni, por edhe në mirëkuptim me aleatët tanë të mëdhenj ndërkombëtarë, Kosova shpalli legalisht pavarësinë. Ky akt, që kurrsesi nuk ka qenë aspak spontan dhe, aq më pak emocional, u miratua nga shumica e anëtarëve më me peshë të OKB-së. Filloi “loja” e njohjeve ndërkombëtare të pavarësisë legale e të merituar të Republikës së Kosovës, që vazhdon t’i nënshtrohet “rregullave” të ndikimit ndërkombëtar dhe të interesave gjeostrategjike të fuqive të mëdha.

Rezultati, madje edhe arsyet e njohjes së Republikës së Kosovës nga shtetet anëtare të OKB-së dihen. Njëherësh dihen edhe shkaqet e vazhdimësisë së “pavarësisë së kushtëzuar” të Kosovës, sikurse dihen edhe arsyet e pranisë dhe e pushtetit aktual të përfaqësuesve ndërkombëtar (UMNIK, KFOR dhe EULEX) në Kosovë. Në dyshim është vënë vetëm premtimi për të arritur, brenda këtij viti, “pavarësia e pakushtëzuar”. Ky dyshim është një ndjesi e përligjur nga ecuria e ngjarjeve, që pasuan deklarimin e premtimit. Në harkun kohor të pak muajve, në pritje të arritjes së pavarësisë së pakushtëzuar , situata në veriun e Kosovës, për të mos thënë që është shfaqur e përkeqësuar , vazhdon të mbetet e tensionuar sikurse edhe para pavarësisë së derisotme ,që cilësohet dhe është realisht e kushtëzuar.

Jemi deklaruar, pretendojmë dhe dëshirojmë që brenda 2012-ës të bëjmë një hap cilësor ,ta shndërrojmë pavarësinë e shtetit tonë nga të “kushtëzuar” në të “pakushtëzuar”. Këta dy cilësore, që mund edhe të mos kuptohen saktë, diferencojnë qartë pavarësinë e plotë nga ajo nën mbikëqyrje apo në përkujdesje.

Sa thashë dihet! Ajo që dëshiroj të kthej në vëmendjen tonë është që të bëhen publike gjithë hapat e ndërmarra shtetërisht, të realizuara apo të parealizuara deritashme, për të përmbushur premtimin. Do të arrijmë apo jo “pavarësinë e pakushtëzuar” të Republikës së Kosovës?! Për të dhënë një përgjigje për këtë kapërcyell historik të Kosovës janë të nevojshme ndërmarrja e hapave të dukshëm politik në rrafshet kombëtare e ndërkombëtare; krijimi i një klime jo konfliktuale në mbarë trevat e shtetit të Kosovës mes shqiptarëve e jo shqiptarëve; krijimi i një mirëbesimi mes qytetarëve serb të Kosovës në veriun e vendit për të hyrë në bisedime, për të parashtruar kërkesat dhe për t’i realizuar ato në rrugë institucionale e ligjore.

Koha për të realizuar pavarësinë e pakushtëzuar është e shkurtër, ndërsa hapat e bëra deri tash në këtë drejtim janë, për të mos thënë inekzistent, të mangët. Janë të tilla jo vetëm prej nesh, por edhe prej aleatëve tanë ndërkombëtarë, që më shumë na dalin garant në bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel, sesa në konfliktet në pikat doganore të Kosovës me Serbinë.

Këto zhvillime i njohim! Në këto rrethana na mbetet ne përgjegjësia. As nga qëndrimet ndërkombëtare dhe as nga raportet Kosovë -Serbi s’ka ndryshime të rëndësishme për të riparë deklarimin për sanksionimin kushtetues së Pavarësisë së pakushtëzuar të Republikës së Kosovës.

Qofsha i gabuar! Por koha, situata politike rajonale dhe koniunktura politike ndërkombëtare nuk pret! Pavarësia e pakushtëzuar nuk arrihet kurrë me deklarata politike dhe mediatike!

 

 

Exit mobile version