Site icon Telegrafi

Dështon sërish mbledhja e Kryesisë, s’ka kuorum e as seancë të jashtëzakonshme për sot (Live)

Me kërkesën e 43 deputetëve, është kërkuar seancë e jashtëzakonshme për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Mbledhja e parë e Kryesisë së Kuvendit dhe shefat e Grupeve Parlamentare dështoi meqë nuk kishte kuorum për të marrë vendime.

Mbledhjen e Kryesisë e kishte lëshuar shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Glauk Konjufca, dhe shefi i Grupit Parlamentar të Nismës për Kosovën, Bilal Sherifi.

43 deputetët kanë kërkuar që seanca të mbahet sonte. Kjo kërkesë erdhi pas peticionit për Specialen që ishte iniciuar nga OVL-UÇK, të cilët kishin arritur t’i mbledhin mbi 10 mijë nënshkrime të qytetarëve të Kosovës, duke e dorëzuar më pas në Parlament.

Seanca mund të mbahet me praninë e së paku 61 deputetëve dhe Ligji për Dhomat e Specializuara mund të shfuqizohet me shumicën e thjeshtë të deputetëve pjesëmarrës në votim, pra nga 31 deputetë.

Ndërkohë, ashtu siç është paralajmëruar, për ora 21:00 është caktuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, me kryetarët e grupeve parlamentare. Por, në takim ishin veç përfaqësuesit e PDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën. Vendime prapë nuk kishte, për shkak të mungesës së kuorumit. /Telegrafi/

Exit mobile version