Site icon Telegrafi

Në pritje të lajmeve të reja nga takimi Dimitrov-Kotzias

Opinioni në Maqedoni është në pritje të përfundimit të takimit të sotëm të shefave të diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, respektivisht Nikolla Dimitrov dhe Nikos Kotzias.

Kjo është vizita e dytë e Kotzias në Maqedoni, i cili paraprakisht ateroi në Shkup, por vetëm pas ndryshimit të emrit të aeroporotit, nga “Leka i madh” në “Aeroporti Ndërkombëtar Shkupi”.

Përveç aeroportit, u ndryshua edhe emri i autostradës “Leka i madh” në “Miqësia”. Këto ndryshime erdhën si shenjë e vullnetit të mirë të Maqedonisë për të arritur një zgjidhje për çështjen 25 vjeçare të emrit ndërmjet të dy shteteve.

Bisedimet për emrin rifilluan në dhjetor të vitit të kaluar në New York, pas një ndërprerje trevjeçare. Ky takim rrezatoi pozitivisht, dhe bisedimet thuhet të jenë në rrugë të mbarë, ndonëse konsiderohen mjaft të vështira.

Sinjalet pozitive u ndjenë nga të gjitha anët, ndërsa Komisioni Evropian (KE) pritet të propozoj fillimin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë në Bashkimin Evropian (BE).

Pala greke synon që përpos emrit, Maqedonia të ndryshojë edhe Kushtetutën, ndërsa pala maqedonase synon që të mos preken aspekte identitare të vendit.

Duke kërkuar një emër të përbërë, me përmbajtje gjeografike, bisedimet janë duke marrë fund dhe pritet një zgjidhje, që do t’ia hapë dyert Maqedonisë në NATO dhe BE. Se cila do të jetë kjo zgjidhje, mbetemi në pritje që ta marrim vesh. /Telegrafi/

Exit mobile version