Telegrafi

Në Prishtinë nis sot ‘Fotoist’ – International Photography Festival

Këtë vit, Prishtina bëhet qendra e fotografisë në rajon me Fotoist – International Photography Festival, i cili hapet ditën e premte, datë 20 Gusht 2023 në orën 15:00 pranë Barabar Centre me ligjeratën e kuratorit nga Shqipëria, Elton Koritari.

Ligjërata trajton një prej aspekteve themeltare të artit të fotografisë, momentin, si aspekt te çastit fotografik por edhe të atij historik apo socio-politik.

Thotë ligjëruesi, Elton Koritari: – “Në gjithë këto vite, rastet e jetës më kanë afruar me fotografinë në çdo aspekt të saj.

Kështu, kam pjekur bindjen që fotografitë thjesht në dukje lindin nga një akt kreativ i momentit i cili gjenerohet dhe konsumohet në çast.

Fotografia, qoftë edhe vetëm për natyrën e saj të çastësishme, kap një moment nga fluksi i kohës dhe ja dorëzon atë përjetësisë, pra më mirë se çdo formë e artit viziv arrin të kuptojë humbjen e sensit të kohës – një shenjë e dallueshme kjo e “modernitetit tone liquid”.

Krijuesi i Fotoist – International Photography Festival, Burim Myftiu, fton nga ana e tij të gjithë artdashësit por edhe publikun e thjeshtë të marrë pjesë në këtë ligjëratë dhe në 6 ligjëratat e tjera, takimet, workshopet, projeksionet e filmave dhe dokumentarëve dhe të shijojnë 7 ekspozitat e festivalit. /Telegrafi/