Me moton “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë kombëtare” në Prishtinë ka nisur protesta për vrasjen e shtatzënës 35-vjeçare në oborrin e QKUK-së.
Qindra protestues janë mbledhur në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku po kërkojnë përgjegjësi institucionale për vrasjen e djeshme.
“Polici jeni bashkëfajtorë në vrasjen e grave”, “Edhe sa thirrje të humbura”, janë disa nga thirrjet e protestuesve, të cilët po marshojnë drejt Prokurorisë së shtetit, Policisë së Kosovës dhe Qeverisë, raporton Telegrafi.
Protesta është thirrur nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe YIHR.
Protestuesit vendosën mbishkrime “Vrasja e grave nga burrat të trajtohet si urgjencë Kombëtare” në objektin e Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, atë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Stacionit Policor Qendra. Ndërsa, në objektin e Qeverisë hodhën derivate të naftës për të ndezur zjarr.
Mbrëmjen e së mërkurës në oborrin e QKUK-së para Klinikës së Gjinekologjisë u vra një 35-vjeçare shtatzënë e cila ishte në prag të lindjes së një foshnje.
Ish-bashkëshorti i saj është personi i dyshuar për kryerjen e vrasjes ndërsa i njëjti po kërkohet nga organet e rendit dhe gjendet në arrati./Telegrafi/