Site icon Telegrafi

Nis aksioni në Prishtinë për largimin e qenve nga rruga, kush i adopton do të marrë nga 50 euro

Foto: Arkiv

Komuna e Prishtinës ditën e hënë ka ndërmarrë disa veprime për trajtimin e qenve endacak.

Kryeqyteti me vendim të kryetarit, Përparim Rama, ka nisur aksionin për largimin e këtyre kafshëve nga rruga dhe dërgimin e tyre në strehimore të licencuar nga agjencia e veterinës dhe ushqimit, ku do të trajtohen si duhet dhe përgatiten më pas për adoptim.

Nisjen e këtij aksioni e kanë përcjellë drejtori për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica dhe këshilltarët Bajram Gecaj e Pëllumb Bajçinovci.

“Ky aktivitet do të vazhdojë për ditët në vazhdim. Qëllimi është që qentë të largohen nga rruga dhe të vendosen në strehimore të licencuar nga AVUK-u, ku do të trajtohen në mënyrë humane, dhe komuna do të vazhdojë të subvencionojë këtë strehimore për qentë që do t’i mbajë, ku do t’i përgatisim edhe për adoptim”, ka deklaruar Fushtica.

Tutje, në njoftim thuhet se “komuna po ashtu është duke e përgatitur rregulloren për trajtimin e qenve endacak, ku përfshihet edhe mënyra se si mund të adoptohet një qen i tillë, të cilin do ta trajtojë falas në çfarëdo kohe veterinari i Kryeqytetit në qendrën për trajtimin e tyre e cila gjendet në Hajvali të Prishtinës dhe do të hapet së shpejti”, bëhet e ditur në njoftim.

“Do t’i subvencionojmë edhe qytetarët që janë të interesuar të adoptojnë qentë. Një person që e merr një qen do të subvencionohet me 50 euro në muaj. Qytetarët mund t’i marrin deri në 5 qenë” ka deklaruar drejtori për siguri dhe emergjenca, Lulzim Fushtica.

Kryeqyteti është duke ndërmarrë veprime të shumta për trajtimin e qenve endacak, ku deri tani janë ndarë 1 milion e 300 mijë euro. /Telegrafi/

Exit mobile version