Tre të rinjtë janë: Deni Çela, 22 vjeç, student në Akademinë e Arteve, dega Skulpturë, Eduart Feraj 21 vjeç, futbollist i skuadrës së Rubikut -Rrëshen, kategoria e dytë dhe Albi Daja 20 vjeç, student në Shkencat Sociale, dega Sociologji, të tre banues në Tiranë.
Këta persona po transportonin në një benz me targa të Tiranës, një sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Policia sekuestroi shtatë pako me marijuanë, së bashku me to një peshore plastike dhe automjetin që transportonte lëndën narkotike.
Mësohet se operacioni është kurorëzuar nëpërmjet një postblloku të ngritur në vendin e quajtur “Uji i Ftohtë” në Tepelenë. Dy të rinjtë që udhëtonin me automjetin tip benz, kur i janë afruar postobllokut të policisë, për t’ju shmangur kontrollit kanë zbritur nga automjeti dhe kanë lëvizur në drejtim të pyllit me këmbë, duke marrë me vete një çantë shpine, ku dyshohej se kishte lëndë narkotike.
Policia i ka ndjekur të rinjtë për disa minuta, ku dy djemtë për shkak të lodhjes dhe se nuk kanë mundur ta transportojnë më tej çantën e kanë hedhur në një lëndinë dhe kanë zbritur me vrap në drejtim të rrugës nacionale në afërsi të fabrikës së “Ujit të Ftohtë” Tepelenë, për të hipur tek shoku tjetër që do t’i priste me automjetin tip Benz, po ndërkohë policia kishte vënë në pranga drettuesin dhe më pas edhe dy të rinjtë.
Sipas policisë, rezultoi se tre të rinjtë lëndën narkotike e kishin blerë në Lazarat dhe do ta transportonin në drejtim të Tiranës./Telegrafi/