Site icon Telegrafi

Në prag të një lufte të re: SHBA nis luftanijet drejt Koresë së Veriut (Foto)

Lideri i Koresë së Veriut Kim Jong-un, ka kërcënuar Shtetet e Bashkuara në krye me Presidentin Donald Trump, se do të sulmojë kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seulin dhe bazat ushtarake amerikane që gjenden brenda këtij vendi, nëse ushtria amerikane ndërmerr ndonjë sulm ndaj vendit më të izoluar në botë.

Mediat amerikane kanë raportuar sot se Shtetet e Bashkuara kanë nisur luftanijet dhe aeroplanmbajtëset në ujërat e Koresë së Veriut, për të parandaluar testimin e paralajmëruar bërthamor me rastin e “Ditës së Diellit”, festë kombëtare e këtij vendi, transmeton Telegrafi.

Kim Jong-un ditë më parë është zotuar se do të kryejë një test tjetër bërthamor, lajm ky që ka alarmuar Shtetet e Bashkuara, derisa Kina ka paralajmëruar se ky regjion mund të futet në luftë “nga çasti në çast”.

Lidhur me këto kërcënime është alarmuar edhe Japonia e cila brenda territorit të saj ka baza ushtarake amerikane, të cilat tashmë janë në gjendje gatishmërie.

Ndërkaq zyrtarë të lartë amerikanë kanë deklaruar se SHBA-të janë duke shqyrtuar seriozisht mundësinë e bombardimit me raketa Tomahawk, bazën nga ku pritet të zhvillohet testi i ri bërthamor në Korenë e Veriut. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version