Rreth 500 persona përdorues të lëndëve narkotike janë të regjistruar në rrethin e Pollogut. Këto të dhëna u shpalosën në ligjëratën “Droga dhe të Rinjtë” në Universitetin e Tetovës, por dyshohet për dyfish ose trefish numër më të lartë, marrë parasysh personat që nuk figurojnë si përdorues, shkruan gazeta KOHA.
Sipas Qebir Azviut, marihuana kryesisht vjen nga Shqipëria, kurse heroina në Maqedoni vjen nga Afganistani. “Marihuana më së shumti na vjen nga Republika e Shqipërisë, ndërsa heroina vjen nga Afganistani dhe vendet tjera të Lindjes së Mesme që trafikohen, apo transportohen deri në vendin tonë”, deklaroi Qebir Avziu, dekan i Fakultetit Juridik.
Sipas Kastriot Haxhirexhës, dekan i Fakultetit të Mjekësisë në UT, shumë pak është bërë në këtë drejtim. “Kjo është e meta jonë. Qoftë ne si institucione përfshi këtu edhe Fakultetin e Mjekësisë, unë e pranoj se shumë pak jemi të angazhuar rreth kësaj problematike dhe duhet bërë më shumë”, tha Haxhirexha. Se numri i përdoruesve të lëndëve narkotike është dhjetëra herë më i lartë sesa zyrtari, e pohon edhe Kryetari i Organizatës Joqeveritare “Hops”, Boban Pavllovski.
“Numrat e shfaqur sot janë numrat që njerëzit drejtpërdrejtë kanë ardhur dhe kanë kërkuar shërbime tek ne, gjegjësisht në Qendrën për zvogëlim të dëmeve nga lëndët narkotike. Në vitin 2008 filloi implementimi i programit me personat përdorues të drogës dhe deri tani janë regjistruar 484 persona. Ky numër në praktikë është dhjetë herë më i madh, është më alarmant. Këtu kemi treguar numrat që posedojmë e të cilëve u kemi dhënë shërbime”, tha Pavllovski . Ligjërata “Droga dhe të rinjtë” kishte për qëllim sensibilizimin e studentëve dhe nxënësve rreth kësaj dukurie negative, ndërkaq u organizua nga Fakulteti Juridik në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Mjekësore dhe Organizatën Joqeveritare “Hops”./koha/