Site icon Telegrafi

Në Podujevë u zbulua shtatorja e heroit Ali Ajeti

Në kuadër të aktiviteteve në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, sot në Podujevë u zbulua shtatorja e heroit dhe prijësit të “Çetës së Llapit”, Ali Ajeti, i rënë në vitin 1989.

Në ceremoninë e zbulimit të shtatores, që u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Podujevës, Agim Veliu, e ku ishte i pranishëm edhe ish-Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nëna dhe familjarët e heroit Ali Ajeti, përfaqëues institucionesh qendrore dhe lokale dhe qytetarë të shumtë, u vlerësua lart angazhimi politik dhe sakrifica deri në rënie e heroit Ali Ajeti.

Kryetari Veliu tha se zbulimi i shtatores së heroit Ali Ajetit përkon me një përvjetor të rëndësishëm – festën e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

“Sot, ndërsa përkujtojmë veprën e Ali Ajetit, ne përkujtojmë edhe rrugën e gjatë e të mundimshme që ky popull kaloi nga robëria në liri. I hershëm ishte angazhimi politik i Ali Ajetit kundër shtypjes së shqiptarëve në Kosovë gjatë regjimit komunist në ish-Jugosllavi”, tha Veliu.

Veliu tha se Ali Ajeti dhe grupi politik e i armatosur “Çeta e Llapit” janë nismëtarë të krijimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

“Me rënien e tij ‘Çeta e Llapit’, humbi komandantin e saj. Kombi shqiptar e humbi njeriun që e gjeti çelësin e rrugës së lirisë”, tha  Veliu.

Më tej ai tha se “protestat e pareshtura dhe flijimet nëpër shekuj e dekada të shqiptarëve të Kosovës, pikërisht në fundvitet 80-ta dhe fillimvitet ’90-ta, në kohë represioni e dhune, kulmuan me organizimin tonë pluralist politik. Kur regjimi serb, nën petkun komunist jugosllav, po bënte përpjekjet e fundit për zhbërjen e një populli, shqiptarët e Kosovës u organizuan në një lëvizje politike gjithpopullore, e cila kishte në krye liderin dhe prijësin historik të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Presidentin Dr.Ibrahim Rugovën”.

Në emër të familjes Ajeti, të pranishmit në këtë ceremoninë e përurimit të shtatores i përshëndeti Isa Ajeti – familjar i heroit Ali Ajeti.

Ndërsa, aktori Ismet Azemi deklamoi vargje për heroin Ali Ajeti.

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, paraprakisht kryetari Velui ka vizituar familjen e heroit Ali Ajeti, kurse një delegacion i Komunës së Podujevës ka bërë homazhe dhe ka vendosur lule të shtatoret e katër heronjve në Sheshin e “Dëshmorëve”.

Aktivitetet për nder të 10 vjetorit të pavarësisë kanë vazhduar me një turne në futsall dhe do të përmbyllen me koncertin e Shoqërisë “Josip Rela”. /Telegrafi/

Exit mobile version