Site icon Telegrafi

Në Podujevë u hap ekspozita “Ngjyrat e Nëntorit”

Për nder të Festës së Flamurit, në Galerinë e Arteve në Podujevë të mërkurën u hap edicioni i parë i ekspozitës kolektive “Ngjyrat e Nëntorit”.

Kjo ekspozitë, e organizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport bashkoi artistë llapjanë, të cilët prezantuan punimet e tyre në një ngjarje që pasqyron traditën dhe kreativitetin artistik, në festën mbarëkombëtare siç është Dita e Flamurit.

Në hapjen e ekspozitës morën pjesë artdashës, qytetarë, dhe përfaqësues të institucioneve komunale. Një fjalë rasti mbajti Drejtoresha e Kulturës, Vlora Humolli-Jashanica, e cila falënderoi artistët për kontributin e tyre dhe theksoi rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës në jetën e përditshme.

Ekspozita “Ngjyrat e Nëntorit” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 20 dhjetor, nga ora 10:00-16:00, duke ofruar mundësinë për të shijuar nga afër krijimtarinë e artistëve lokalë. /Telegrafi/

Exit mobile version