Site icon Telegrafi

Në Podujevë, mbi 100 mijë euro vlera e dëmeve të shkaktuara nga era e fuqishme

Në bazë të vlerësimeve të Komisionit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, era e fuqishme që përfshiu ditë më parë disa zona të komunës ka shkaktuar dëme në vlerë prej mbi 106 mijë euro.

Komisioni për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore në Komunën e Podujevës, pas vizitave të realizuara dhe verifikimit të gjendjes në teren, ka dalë me raport mbi dëmet e shkaktuara nga era e fuqishme që përfshiu lokalitetet e komunës gjatë këtij muaji.

Sipas këtij raporti, vlera e përgjithshme e dëmeve të shkaktuara nga era është 106,794. 59 euro.

Dëmet e shkaktuara janë të natyrave të ndryshme. Në infrastrukturë (ku përfshihen shtëpi banimi, objekte afariste, objekte përcjellëse, stalla për bagëti etj.) dhe ekonomi të tjera familjare, dëmi i përgjithshëm është 52, 615. 24 euro.

Komisioni gjithashtu ka vlerësuar dëmet e shkaktuara në bujqësi, të cilat kapin vlerën 51, 228.00 euro, si dhe në objekte shkollore, ku vlera e dëmeve të shkaktuara është 2, 951. 35 euro.

Meqë Komuna e Podujevës nuk posedon buxhet për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë natyrore, raporti i vlerësimit të dëmeve do t’i dërgohet për mbështetje Qeverisë së Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version