Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi thotë për RTV Dukagjinin se në këtë komunë janë mbi 470 raste aktive me coronavirus.
“Komuna jonë përballet me një sërë problemesh dhe para se gjithash, hapësira jo e mjaftueshme për trajtimin e këtyre pacientëve. Pastaj kemi mungesë të barnave të nevojshme për pacientët që janë të shtruar atje”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Bulliqi thotë se në këtë komunë është rritur numri i testimeve dhe sipas tij është normale që të rritet edhe numri i personave të infektuar.
“Pavarësisht se sot në komunën tonë janë shënuar edhe 33 raste të reja, nga biseda që pata me doktoreshën që është përgjegjëse për COVID-19, ajo më tha se gjendja është drejt stabilizimit”.
I pari i Podujevës thotë se institucionet duhet të bëjnë të pamundurën për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve./Telegrafi