Telegrafi

Ministritë e fuzionuara nga 15 këshilltarë, 10 të brendshëm dhe 5 të jashtëm

Foto: Arkiv

Qeveria e Kosovës ka miratuar Projekt-rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për Fushat Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive, përmes së cilës ministrive të fuzionuara u mundësohet emërimi i 10 këshilltarëve politik dhe pesë të jashtëm.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se siç janë zotuar në programin qeverisës për të përmirësuar mënyrën e punës, organizimit dhe funksionimit të Qeverisë, po e përditësojnë edhe kornizën ligjore.

“Në rastet kur janë fuzionuar dy ose më shumë ministri që janë bashkuar në një ministri, atëherë ministri mund të emërojë deri 10 këshilltarë politikë, e deri në pesë këshilltarë të jashtëm”, ka thënë Kurti.

“…Siç jemi zotuar në programin qeverisës për të përmirësuar mënyrën e punës, organizimit dhe funksionimit të Qeverisë, po e përditësojmë edhe kornizën ligjore. Si rezultat i fuzionimit të ministrive, është rritur fushëveprimi dhe janë rritur përgjegjësitë e tyre, prandaj me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe efikasitetit në qeverisje po e procedojmë këtë rregullore…”, ka thënë ndër të tjera, Kurti.

Ndërkaq, në konferencën për media, zëdhënësi, Përparim Kryeziu tha se ky ndryshim është vetëm për 5 ministri të cilat janë bashkuar dhe shkrirë.

“Bëhet fjalë për shtimin e kapaciteteve njerëzore brenda kabineteve të 5 ministrive që janë fuzionuar. Bëhet fjalë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Mjedisit, Ministria e Industrisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Ky ndryshim ka për qëllim me ju përgjigj faktit se këto ministri kur janë shkri kanë pësuar një rritje apo zgjerim të kompetencave që kanë dhe rrjedhimisht ka pasur nevojë për rritje të kapaciteteve. Në këto ministri nga 6 numri i këshilltarëve të ngritet në 10”, tha ai. /Telegrafi/