Edhe sot, bisedimet e partive politike me ambasadorët Jess Baily dhe Aivo Orav, kanë përfunduar pa ndonjë rezultat konkret dhe me qëndrime të kundërta të palëve, transmeton Telegrafi Maqedoni.
LSDM-ja vazhdon të ketë mendimin se nuk ka ndonjë lëvizje pozitive për t’u marrë seriozisht, duke shtuar se nuk beson që deri më 15 korrik mund të arrihet ndonjë marrëveshje, ndërkaq nuk ka paralajmërime për ndonjë takim liderësh.
Për Artan Grubin, bisedimet kanë përparuar dhe se mund të arrihet një marrëveshje për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike, nëse ka konstruktivitet nga palët.
Edhe Nikolla Todorov nga OBRM-PDUKM-ja vazhdon të ketë mendimin se në bisedimet e partive politike ka përparim dhe se optimizmi është shtuar. Ai pohon se LSDM-ja dhe OBRM-PDUKM-ja i kanë përafruar qëndrimet rreth kërkesave të opozitës për listën zgjedhore, por edhe për disa propozime për mediat.
Nuk ka ndonjë qëndrim konkret nga ana e Partisë Demokratike Shqiptare./Telegrafi/