Një 19-vjeçar ka mbetur i vdekur nga plagët e marra në një përleshje mes dy grupeve të të rinjve në fshatin Dragobil të Malishevës, ku janë përdorur thikat.
Rastin e ka konfirmuar Policia e Kosovës përmes një komunikate, në të cilën thuhet se pas një përleshjeje të një grupi personash të premten afër mesnatës në Malishevë, një i ri ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve.
Personat e përfshirë në rrahje janë arrestuar si dhe janë konfiskuar 2 automjete, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës, përcjell Telegrafi.
“Policia në Malishevë ka pranuar informacionin se me datë 27.12.2019 rreth ores 23:25, disa persona te lënduar kanë kërkuar ndihme mjekësore në Qendrën e Mjekisë Familjare në Malisheve. Policia menjëherë ka shkuar në lokacion. Dyshohet se rreth 9 persona kanë marrë pjesë në një rrahje ne Rr. ‘Ahmet Paqarizi’ Dragobil- Burim dhe si pasojë e lëndimeve të marra mjeku ka konstatuar vdekjen e një personi”.
“Policia dhe prokurori kanë dalë në vendin e ngjarjes për hetimin e rastit, personat e dyshuar të involvuar janë arrestuar dhe po ashtu 2 automjete janë konfiskuar. Është iniciuar rasti “vrasje” dhe’ pjesëmarrje në rrahje’ , ku hetimet dhe veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me prokurorinë kompetente”, thuhet në njoftim.
Mësohet se 19 vjeçari u qëllua dy herë me thikë. /Telegrafi/