Më 17 gusht, bëhen 110 vjet nga vrasja e veprimtarit të Rilindjes Kombëtare, dhe Mësuesit të Popullit, Petro Nini Luarasi.
Luarasi lindi në Luaras të Kolonjës më 1865. Mësimet e para në gjuhën shqipe i mori kur ishte nxënës, në shkollën e Qestoratit nga mësuesi Koto Hoxhi.
Më 1887 hapi në Ersekë shkollën e parë shqipe dhe më 1892-1893 shkollat shqipe në krahinën e Kolonjës dhe të Vakëfeve. Ishte mësues dhe drejtor i Mësonjtores Shqipe të Korçës (1893) dhe më vonë i shkollës së Negovanit (1909-1911).
Petro Nini Luarasi, mërgoi në Amerikë dhe u bë nismëtar i shoqërive patriotike, “Malli i Mëmëdheut” dhe “Pellazgu”. Ishte delegat në Kongresin e Dytë të Manastirit. Bashkëpunoi në organet “Bashkimi i Kombit” (Manastir), në “Drita” (Sofje), “Kombi” (Boston) e “Iliria” (Selanik). Në veprën “Mallkimi i shkronjave shqipe dhe çpërfolja e shqiptarit” (Manastir, 1911) mbrojti të drejtat e popullit shqiotar për kulturë kombëtare, duke e quajtur dijen dhe kulturën “shpirtin e mëmëdheut”.
Për shkak të veprimtarisë patriotike, arsimore, shoqërore dhe propaganduese, u përndoq nga Xhonturqit dhe Patriarkana e Stambollit.
Vdiq i helmuar në Ersekë, më 17 gusht 1911.
c