Ish – futbollisti i Besës së Pejës, Ilir Nallbani, i cili për dy stinorë kishte qenë pjesë e ekipit pejan, në cilësinë e ndihmëstrajnerit, ka shkuar një hap më tutje në angazhimin e tij.
Nallbani është bërë pjesë e shkollës së futbollit për grupmosha të reja “Arena Sport”, në qytetin e tij të lindjes.
Ai përmes profilit të tij në Facebook, ka njoftuar se sot ka filluar stërvitja e parë me gjeneratat U-7, U-9 dhe U-11.
“Falënderoj të gjithë prindërit për respektin dhe besimin e treguar. Ju dëshiroj suksese në vazhdimësi me punën që do të bëjmë së bashku”, ka shkruar Nallbani.
Ai do të drejtojë ekipin e trajnerëve në këtë shkollë të futbollit, e cila i plotëson të gjitha nevojat për talentët e futbollit në këtë pjesë të Kosovës.
Ndryshe, Nallbani ka luajtur edhe jashtë Kosovës, me skuadrat shqiptare si Elbasani e Vllaznia e Shkodrës, ndërsa karrierë ka bërë edhe në Hungari.
34-vjeçari në Kosovë, përveç fanellës së Besës së Pejës, ka bartur edhe atë të Lirisë dhe Trepçës ’89./Telegrafi/