Site icon Telegrafi

Në paqe, për luftën, me letërsi

Nga: Berat Armagedoni

Në vitet ’90 të shekullit të kaluar, të shkruaje dhe të botoje libër me titull “Populli i ndaluar”, nuk ka qenë lehtë në Kosovë. E shkroi këtë libër Rexhep Qosja, e botoi “Mega Medium” në Prishtinë më 1990. Të njëjtin, dy vjet më pas “Shtëpia Botuese Enciklopedike” në Tiranë.

Ka qenë vështirë dhe pasiguri e përbënte rrezik individual, familjar dhe shoqëror të botoje libër edhe me titull “Populli i pandalur” ani pse populli ishte i ndaluar. E shkroi Agim Vinca, e botoi “Zëri” më 1992. Si këta të dy, libra të tillë u botuan pak atëbotë.

Megjithatë, u botuan disa nga intelektualët që, me atë makinë të shkrimit dhe kulturë shkrimi dhe formimi që kishin dhe atë mundësi shtypi që u jepej nga botuesit dhe nga shtypshkronjat në Kosovë, në Maqedoni dhe në Shqipëri, reagonin nëpërmjet librave publicistikë për të drejtat e mohuara që ua bënin popullit të tyre serbët e Beogradit në Kosovë, me milici. Disa që nuk i mëshonin sistemit serb drejtpërdrejt grusht, e grithnin atë me prozë dhe me poezi, me figura të mendimit e të kuptimit, duke i lënë në kujtesën kolektive dhe në biblioteka dhe në arkiva të bëmat serbe në Kosovë hëm me fotografi, hëm me deklarata (dëshmi). Por, Jugosllavia ngordhi! Zullumqarët ngordhën! Fitoi liria, me armë, mend dhe bukë! Ajo çfarë mbeti për t’u bërë pas luftës, s’u bë.

Duhet të bëhet tash, edhe pse është shumë vonë.

Pavarësisht prej asaj kohe dhe atyre njerëzve, sot, disa poetë, po të duan, ende kanë punë edhe me ish-sistemin serb, edhe me këtë shqiptar që, për shkak të pakujdesisë, ka nëpërkëmbur luftën dhe sakrifikuesit e saj – heronjtë, dëshmorët, viktimat, invalidët …

Ndonjë shkrimtar shqiptar për luftën, gjenocidin dhe tmerret e luftës të shkaktuara nga serbët, ka shkruar mjaftueshëm, ndonjë tjetër nuk ka shkruar asnjë fjalë ani pse lufta e ka goditur në familje dhe te fqinjët. Por, keq si këta të fundit kanë vepruar edhe institucionet. Historianët s’kanë bërë gjë. S’kanë nxjerrë gjë në dritë nga krimet e shumta serbe bërë cilitdo shqiptar. Asnjë zë, asnjë britmë tonën s’e ka ndërkombëtarizuar asnjë historian.

Asnjë institucion shtetëror, as Ministria e Kulturës e Kosovës, që nga përfundimi i luftës nuk ka shpallur kurrë një konkurs për përkrahje të botimit të veprave me temë luftën e Kosovës. S’e ka shpallur një konkurs posaçërisht për këtë temë as Ministria e Arsimit. As Instituti i Historisë. As Instituti Albanologjik. Asnjë institucion tjetër shkencor a arsimor a kulturor. Keq, shumë.

Shkrimtarët që dy dekada do të duhej të motivoheshin nga institucionet të shkruanin për luftën e Kosovës. Tema e luftës e Kosovës është e madhe dhe motivet e luftës janë të shumta në gjithë territorin e saj dhe shumë të rënda. Secili që e ka përjetuar luftën dy ditë, di të të rrëfejë dy javë për përjetimet e veta dhe të të tjerëve në kohën e luftës.

Prandaj, një e pame për Kosovën, për t’u ngushëlluar nga e gjithë bota për gjenocidin serb bërë shqiptarëve ndër vite të gjata, sidomos në vitet 1998-1999, duhet ta hapë shteti dhe në krye të saj duhet të vendosen shkrimtarët, të cilët duhet të trajtojnë ngjarje të vërteta dhe veprat e tyre pastaj, pasi të përzgjidhen prej më të mirave nga juri profesionale, duhet të përkthehen në gjuhë të mëdha të botës nëpërmjet shpalljes së konkurseve për përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhë të huaj sikurse e shpallë, një herë në vit, qe disa vite, Ministria e Kulturës e Maqedonisë së Veriut konkursin për përkthimin dhe botimin e letërsisë maqedonase në gjuhë të huaj e që ndan, po për këtë punë, mbi një milion euro.

Në paqe, me letërsi, mund të kontribuojmë për pasojat e luftës e të pasluftës.

Me letërsi duhet t’i rrëfejmë botës, nëpërmjet vajzave, grave, djemve, burrave, pra personave dokumentarë, për gjenocidin serb në Kosovë.

Shërimi i plagëve bëhet duke e kujtuar luftën dhe kriminelët e jo duke e harruar atë dhe ata.

Shtet, kthe kokën kah lufta!

Exit mobile version